Mbi 10 tonë kokainë janë zbuluar në qytetin Águilas të Spanjës, në një operacion që ka vënë në qendër të hetimeve një organizatë kriminale shqiptare.

Sipas mediave spanjolle, droga u gjet në dy ambiente industriale, të cilat dyshohet se përdoreshin si baza për grumbullimin dhe shpërndarjen e saj në Spanjë dhe vende të tjera të Evropës.
Një nga detajet më të rëndësishme të zbuluara gjatë hetimeve është se në kutitë ku mbahej kokaina ishin shënuar adresat ku duhej të dërgohej droga.
Ky element pritet t’u shërbejë hetuesve për të identifikuar personat që qëndrojnë pas organizimit të trafikut.
Droga u zbulua në zonën industriale El Labradorcico, pasi një paletë e ngarkuar me kokainë ra gjatë procesit të shkarkimit.
Përplasja shkaktoi dëmtimin e një pjese të ngarkesës dhe shpërndarjen e disa pakove me kokainë në dyshemenë e kapanonit.
Punëtorët që ndodheshin në ambient u larguan me shpejtësi, duke braktisur edhe mjetin e punës.
Në vendngjarje intervenoi një patrullë e Policisë Bashkiake, e cila ishte njoftuar për një aksident të mundshëm në punë, por nuk gjeti askënd në ambientet industriale.
Pas kontrolleve, autoritetet zbuluan edhe pjesën e dytë të drogës, duke e çuar sasinë e përgjithshme të kokainës në mbi 10 tonë.
Vlera e ngarkesës në tregun e paligjshëm përllogaritet të jetë mbi 100 milionë euro, raporton TCH, transmeton Klankosova.tv




