Katie Zacharia është shkarkuar nga posti i zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë pas më pak se një jave në detyrë, thanë të premten dy zyrtarë amerikanë, pas një fillimi të vështirë në rolin e zëdhënëses kryesore të presidentit Donald Trump.
Sipas dy zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, Zacharia është shkarkuar dhe po largohet nga pozita. Gjatë ditëve të para në këtë detyrë, ajo u përball me pyetje lidhur me kualifikimet e saj juridike, si dhe me kritika për paraqitjen në konferencën për media dhe në intervista.

Largimi i saj e lë Trumpin pa një nga zërat kryesorë të administratës për komunikim publik, pak më shumë se dy javë para zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor. Kjo periudhë konsiderohet e rëndësishme për presidentin, i cili synon të promovojë arritjet e administratës së tij dhe të ndihmojë republikanët të ruajnë kontrollin e Kongresit.
Më herët të premten, Trump u tha gazetarëve se i kishte kërkuar Zacharias të rishqyrtonte nëse dëshironte të vazhdonte në këtë detyrë, pas mbulimit kritik nga mediat gjatë ditëve të para të saj në post.
“Unë i thashë: Mendoj se do të ishte më mirë për ty të ishe e lumtur, dhe nuk jam i sigurt nëse mund të jesh ndonjëherë e lumtur në këtë punë. Asgjë në këtë punë nuk është e lehtë”, deklaroi Trump para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim gjatë fundjavës.
Ai shtoi se i kishte thënë asaj të mendonte edhe një herë për vendimin dhe se synonte ta diskutonte përsëri këtë çështje me të.
Zacharia e nisi punën të hënën, ndërsa konferencën e saj të parë për media në Shtëpinë e Bardhë e mbajti të martën.
Ajo kishte thënë se ishte kontaktuar më 7 tetor për këtë pozitë dhe se i ishte ofruar posti për të pasuar Karoline Leavitt rreth një javë më parë.
Gjatë paraqitjeve të saj të para, Zacharia u përball me pyetje rreth karrierës së saj profesionale dhe pretendimeve se kishte ushtruar profesionin e avokates pasi që Trump e kishte prezantuar gjithashtu si avokate.
“Kam ushtruar të drejtën e transaksioneve ndërkombëtare, me të gjitha kualifikimet përkatëse”, deklaroi ajo në një përgjigje me email të mërkurën.
Megjithatë, Reuters raportoi se nuk gjeti të dhëna që dëshmonin se Zacharia, e diplomuar në fakultetin juridik të Universitetit Pepperdine, ishte e regjistruar si avokate ose anëtare e dhomës së avokatisë në ndonjë shtet amerikan apo në Distriktin e Kolumbisë.
Në një intervistë për Fox News të enjten, Zacharia pranoi se nuk e kishte kaluar provimin e avokatisë. Në SHBA, të diplomuarit në fakultetet juridike nuk mund ta ushtrojnë ligjërisht profesionin e avokatit pa u pranuar fillimisht në dhomën përkatëse të avokatisë të një shteti.
Zacharia dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment lidhur me largimin e saj nga detyra.
Burimi: Dukagjini




