Mohamed Salah pritet të marrë dy nderime të rralla në Turqi, vetëm pak muaj pasi u transferua në këtë vend.

Gjatë verës, pasi i dha fund aventurës së tij të jashtëzakonshme nëntëvjeçare me Liverpoolin, Salah refuzoi oferta të tjera për t’iu bashkuar Trabzonsporit në Superligën e Turqisë.
Ai u transferua si lojtar i lirë dhe u bë një nga futbollistët më të paguar në kampionat, pasi nënshkroi kontratë dyvjeçare me shtatë herë kampionin e Turqisë.
Që nga ardhja te Trabzonspori, Salah nuk ka treguar shenja ngadalësimi në fushë, duke shënuar tetë gola dhe dhuruar tri asistime në 10 paraqitje në elitën e futbollit turk.
Në shtator, ai realizoi het-trik ndaj Galatasarayt, duke u shndërruar menjëherë në një prej heronjve të tifozëve.
Por ndikimi i tij nuk është ndalur vetëm në fushën e lojës.
Prania e Salahut ka sjellë efekt të madh edhe në qytetin e Trabzonit, ku që nga gushti kanë nisur fluturime të drejtpërdrejta mes kryeqytetit egjiptian, Kajros, dhe Trabzonit.
Klubi gjithashtu ka fituar miliona ndjekës të rinj në rrjetet sociale pas transferimit të Salahut, çka dëshmon edhe një herë statusin e tij si një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror.
Tani është bërë e ditur se Salah pritet të nderohet edhe nga shteti turk pas transferimit të tij gjatë verës.
Sipas Mohamed Kaoud, gazetar i BBC Arabic, Salah pritet të pajiset me shtetësi turke së bashku me familjen e tij.
Për më tepër, ai pritet të marrë edhe Medaljen Shtetërore për Shërbime të Dalluara, një prej nderimeve të nivelit të lartë, si vlerësim për “rritjen e paprecedentë” që është shënuar së fundmi në sektorët e sportit dhe turizmit në Turqi./Telegrafi/




