Gazetari Valon Syla ka vazhduar polemikën me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas kritikave të këtij të fundit lidhur me deklaratat e gazetarit në emisionin “Pressing” në T7.

Përmes një postimi në Facebook, Syla ka reaguar ndaj akuzave të Abdixhikut, duke mohuar se ka ndonjë agjendë kundër LDK-së.
Ai ka thënë se respekton viktimat e vrara pas luftës dhe familjet e tyre, por ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, Abdixhiku dhe presidentja Vjosa Osmani po i trajtojnë këto çështje në kohë zgjedhjesh.
“Respekt për viktimat, dhe familjet e tyre po me keto Lumir nuk mund ti fitoni zgjedhjet as ti as Vjosa më sepse e keni stërtepruar. Sepse ata i përdorni vetëm për zgjedhje. Dhe nuk e zgjidhët asnjë rast sa ishit mbi 25 vite në pushtet”, ka shkruar Syla.
Gazetari ka përmendur edhe pjesëmarrjen e Abdixhikut në takimet përkujtimore, duke e kritikuar për atë që e ka cilësuar si mospërputhje mes qëndrimeve publike dhe veprimeve të tij pas këtyre takimeve.
“E dyta, akuzë nga ai është se paskam agjendë ndaj LDK-së. Edhe kjo s’është e vërtetë. Sepse LDK-ja më së shumti po cenohet nga vetë egoizmi i Abdixhikut, të cilin e kritikoj”, ka shkruar ai.
Syla ka akuzuar Abdixhikun se është fokusuar në ruajtjen e pozitës së kryetarit të LDK-së, ndërsa ka kritikuar edhe qasjen e tij ndaj pushtetit dhe raportet me kryeministrin Albin Kurti.
“Ai ka agjendë vetëm për atë që ulet në fotelen e kryetarit të LDK-së, i cili gjatë mandatit na rrejti të gjithëve se është opozitë e vërtetë, e që në fund, përfundoi në sqetull të Albin Kurtit”, ka shkruar Syla.
Tutje, ai ka përmendur edhe përpjekjet e Abdixhikut për të siguruar mbështetje për kandidaturat për president, duke pretenduar se në fund ai dhe kandidatët e tij u refuzuan nga Kurti.
“Prandaj, këto fore me të cilat Abdixhiku pandalshëm për humbjet e tij mundohet t’ua lërë gazetarëve, komentatorëve politikë dhe analistëve, është e ulët, e poshtër dhe dëshpëruese, po aq sa është e ulët dhe dëshpëruese të bësh politikë me viktima vetëm kur ju nevojiten për zgjedhje”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, Syla i është referuar edhe mbylljes së podcastit të Abdixhikut, duke e përdorur këtë si pjesë të kritikave ndaj tij.
“Mos harro, jemi në vitin 2027. E ti edhe podkastin e mbylle sepse as ai s’të ndezi. E tash iu ke kthyer viktimave dhe defave”, ka shkruar gazetari.
Syla ka vazhduar me kritika personale ndaj kreut të LDK-së, duke i thënë se duhet të reflektojë për veprimet e tij.
“Ti ske mbet as për të pame, as për dajre. E as me kritiku më dikend. Ndoshta është mirë me reflektu te shtëpija ku e kalon shumicën e kohës”, shkroi ai.
Burimi: Insajderi





