Ushtria izraelite ka nisur një operacion të ri ushtarak në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, me synimin për të goditur atë që i cilëson si infrastrukturë terroriste dhe për të kontrolluar zonat përgjatë rrugës kryesore që lidh veriun me jugun e enklavës palestineze.

Operacioni po zhvillohet në tri zona pranë kampeve të refugjatëve Bureij dhe Nuseirat, ndërsa ushtria izraelite ka mbyllur disa segmente të rrugës Salah al-Din, një nga arteriet kryesore të qarkullimit në Gaza, shkruan jerusalempost.
Përmes një njoftimi, organi izraelit për koordinimin e aktiviteteve në territoret palestineze (COGAT) bëri të ditur se operacioni është përqendruar pranë të ashtuquajturës Vija e Verdhë, kufiri deri ku janë tërhequr forcat izraelite në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 10 tetor 2025.
Autoritetet izraelite u kanë bërë thirrje banorëve që të mos i afrohen zonave ku po zhvillohet operacioni, ndërsa nuk kanë dhënë hollësi për kohëzgjatjen e tij.
Ndërkohë, raportimet nga terreni bëjnë të ditur se tanket izraelite po i afrohen rrugës Salah al-Din, mbyllja e së cilës mund të vështirësojë lëvizjen ndërmjet pjesës veriore dhe asaj jugore të Rripit të Gazës.
Operacioni i ri po zhvillohet pavarësisht armëpushimit në fuqi. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga fillimi i tij, sulmet izraelite kanë vrarë 1.650 palestinezë dhe kanë plagosur 5.975 të tjerë. /Telegrafi/





