Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se e ndjera Arlinda Zekaj nuk kishte kërkuar asnjëherë strehim për vete, por vetëm për fëmijën e saj.

Këtë deklarim ai e bëri gjatë intervistimit në Komisionin Hetimor Parlamentar, ku u pyet për veprimet e institucioneve komunale dhe përgjegjësinë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
I pyetur nga deputetja e PDK-së Besa Kabashi-Ramaj nëse pas vrasjes kishte kërkuar vlerësim të shërbimeve komunale dhe çfarë mekanizmash do të përdorte për të adresuar mangësitë, Muhaxheri foli edhe për rekomandimet e Ministrisë, të cilat tha se Komuna ka nisur t’i zbatojë dhe se janë drejt përfundimit.
“Ne e kemi mirëpritur raportin e ministrisë, rekomandimet janë për kryetarin, jo për QPS-në, unë kam filluar t’i zbatoj, gati jam në përfundim”, tha ai.
Ndërsa, deputeti Burim Ramadani e pyeti nëse kishte pasur ndërhyrje politike, institucionale a individuale.
“Është diskutuar edhe për ndërhyrje nga jashtë, qofshin politike, institucionale, individuale apo biznesore. A mund të na thoni nëse keni ndonjë dyshim apo vlerësim qoftë për ndërhyrje nga ju apo të tjerët se kush janë të fortit e Dukagjinit”, pyeti ai.
Muhaxheri tha se nuk ka dëgjuar për raste të tilla.
“Asnjëherë nuk kam dëgjuar për kësi raste. Kemi një rast më të rendë, nuk ka pasur ndërhyrje as aty, atë e kemi menaxhuar, nuk kemi lejuar që të ndodhë diçka”, tha ai.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Tërshani, e pyeti se cilat rekomandime të Ministrisë ishte duke i zbatuar.
Muhaxheri tha se rekomandimet përfshinin masa ndaj dy zyrtarëve dhe drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale në Pejë.
“Janë tri rekomandime për një zyrtare, Toska Gega, me qitë në komision, për Durimin Kelmendin dhe një për drejtoreshën me larguar nga Qendra për Punë Sociale, në një vend tjetër. Ata kanë shkuar në Komision disiplinor dhe për ankesa”, tha ai.
I pyetur nga deputeti Eman Rrahmani për dy rastet e tjera të cilat i kishte përmendur, Muhaxheri tha se në njërin rast viktimës i ishte siguruar strehim dhe mbrojtje, ndërsa në rastin tjetër bëhej fjalë për një ngjarje që kishte ndodhur pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
“I kanë vendosur shenjën për mos me iu afruar viktimës. Ndërsa viktimës po ia paguajmë qiranë për ta strehuar. Nuk e kemi lënë me u kthye viktimën me shkuar në shtëpi të nënës se edhe aty e ka sulmuar. Ka ndodhur pak para vrasjes së Arlindës dhe rasti i dytë pas Arlindës”, tha ai.
Muhaxheri theksoi se Arlinda Zekaj nuk kishte kërkuar strehim për vete, por vetëm për fëmijën e saj.
“Arlinda nuk ka kërkuar strehim asnjëherë vetëm fëmijën e saj”, tha Muhaxheri.
Deputeti i LVV-së, Armend Baloku, e pyeti Muhaxherin nëse e njihte familjen Sylaj dhe Jeton Sylajn.
“Nuk e di, jo”, tha ai.
Baloku e pyeti gjithashtu nëse në Komunë kishte pasur raste kur persona me ndikim shoqëror apo politik kishin kërcënuar zyrtarët komunalë, duke përmendur edhe një incident mes Muhaxherit dhe një qytetari.
“A ka pasur raste në Komunë që persona me ndikim në shoqëri, me ndikim politik… a ka kërcënuar zyrtarë të Pejës? Çfarë ka ndodhur në incidentin mes teje dhe një qytetari? Mos ka pasur ndonjë ndërhyrje?”, pyeti ai.
Muhaxheri tha se nuk ka pasur.
Në fund, Baloku e pyeti nëse njihej me ish-kryeprokurorin e Pejës, tashmë të shkarkuar.
Muhaxheri konfirmoi se njihej me të, por tha se kishte pasur përvoja të këqija dhe se ishin ndarë në raporte jo të mira.
Në një moment, kryetari i Pejës thumboi Lëvizjen Vetëvendosje duke thënë se po të thirrej nga Prokuroria, do të shkonte.
“Po me të kemi përvoja të këqija, dhe jemi ndarë keq me të. Veç me më thirrë në Prokurori, për dallim prej tjerëve, unë shkoj aty”, tha Muhaxheri.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i ka cilësuar si politike kërkesat për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Pas intervistimit të tij nga komisioni hetimor, ai tha se me këto kërkesa do të ballafaqohet nëse ato vijnë nga kandidatët për kryetarë të komunës.
“Ato kërkesa janë politike, unë nuk merrem, ato kërkesa kur të dalin nga kandidatë për kryetarë komune, ballafaqohemi”, tha ai.
Ai tha se nuk është prononcuar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt para se të flisnin organet kompetente, duke e cilësuar rastin si tepër tragjik për t’u politizuar.
“Rasti është tepër tragjik për ta politizuar, për këtë arsye unë dhe stafi im nuk jemi prononcuar para se të prononcohen organet”, tha kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. /Kosovapress





