Ushtarëve amerikanë të dislokuar në ishullin japonez Okinawa u është vendosur shtetrrethim për një muaj dhe u është ndaluar konsumimi i alkoolit, pas vrasjes së një gruaje japoneze, për të cilën dyshohet një pjesëtar i Trupave të Marinës amerikane.

20-vjeçari Devin Jacob Ballard dyshohet se vrau 39-vjeçaren Anna Yagi në një hotel në Naha, kryeqytetin e Okinawas. Sipas policisë, ai dyshohet se i ka marrë viktimës edhe portofolin dhe çantën e shpinës. Ballard i ka mohuar akuzat.
Pas incidentit, ushtria amerikane njoftoi një sërë masash disiplinore për trupat e saj në Okinawa. Përveç shtetrrethimit dhe ndalimit të alkoolit, të gjitha operacionet ushtarake në ishull do të pezullohen për 48 orë, ndërsa ushtarët do t’i nënshtrohen trajnimeve për disiplinën dhe standardet e sjelljes.
Gjenerallejtënant Benjamin Watson tha se çdo incident me komunitetin lokal ndikon në besimin dhe marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë, raporton wp.
Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, e dënoi vrasjen, duke e cilësuar atë si “jashtëzakonisht brutale dhe të neveritshme”. Ajo tha se Japonia i ka kërkuar palës amerikane masa për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
Sipas policisë, Yagi vdiq nga asfiksia pasi dyshohet se Ballard i kishte shtypur qafën. Trupi i saj u gjet nga stafi i hotelit pasi ajo nuk ishte larguar nga dhoma në kohën e paraparë.
Rasti ka rikthyer shqetësimet në Okinawa lidhur me praninë e madhe të forcave amerikane. Ishulli pret pjesën më të madhe të rreth 18 mijë marinsave amerikanë të dislokuar në Japoni.
Prania ushtarake amerikane në Okinawa ka qenë prej vitesh burim debatesh dhe protestash në mesin e banorëve lokalë, ndërsa incidente të ndryshme që përfshijnë pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë nxitur kërkesa për masa më të rrepta disiplinore. /Telegrafi/




