Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar protestë para Qeverisë më 7 nëntor, nga ora 11:00, duke shprehur pakënaqësi për moszgjidhjen e statusit të ushtarëve pas mbushjes së moshës 45-vjeçare.
Në reagimin e nënshkruar nga kryetari Aleksandar Naskovski, sindikata akuzon ministrin e Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, për zvarritje të procesit dhe mosrealizim të zotimeve ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut.

Reagimi vjen pas deklaratës së ministrit, i cili paralajmëroi zgjidhjen e statusit të ushtarëve profesionistë dhe rritjen e pagave nga 1 janari. Sipas sindikatës, këto zotime përsëriten prej muajsh, pa u shoqëruar me hapa konkretë.
“Deklarata e sotme, gjoja spontane, nga ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski është një gënjeshtër klasike dhe manipulim i publikut, ushtarëve profesionistë dhe pjesëtarëve të Ushtrisë”, thuhet në reagim.
Sindikata e lidh organizimin e protestës me pakënaqësinë e vazhdueshme për gjendjen në Ushtri dhe pasigurinë për të ardhmen profesionale të ushtarëve që arrijnë kufirin e moshës 45 vjeç.
Burimi: Dukagjini




