Pozita e rektorit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj mbeti e zbrazët, por për të u caktuan dy ushtrues detyre.

Njërin e emëroi Ministria e Arsimit, ndërsa tjetrën e zgjodhi Këshilli Drejtues i po këtij universiteti, raporton Klan Kosova.
Fjala është për Fakije Zejnullahun dhe Afrim Lokun, të cilët tash kanë mospajtime se cili prej tyre duhet ta ushtrojë detyrën e rektorit.
Afrim Loku, i caktuar nga Ministria, thotë se është i gatshëm për dialog për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Ndërkohë, Zejnullahu, e caktuar nga Këshilli Drejtues, thotë se qëndrimi i saj në pozitën e ushtrueses së detyrës së rektorit është detyrim ligjor.
Zejnullahut mbështetje i ka dhënë edhe sekretariati i Universitetit, i cili nuk e pranon vendimin e Ministrisë.
Për situatën e krijuar me pozitën e rektorit, nga Ministria e Arsimit i kanë thënë Klanit se kanë vepruar brenda autorizimeve ligjore për të vendosur ligjshmërinë. Sipas Ministrisë, organet e brendshme të Universitetit kanë dështuar vazhdimisht në kryerjen e detyrave të tyre.
Nga ky dikaster thonë se vendimi i Këshillit Drejtues është i kundërligjshëm. Kjo, sipas tyre, është konstatuar nga Komisioni i Ankesave në Ministrinë e Arsimit, pas ankesës së kryesuesit të Këshillit Drejtues.
Krejt hallakama në UShAF nisi pasi Ministria e Arsimit shfuqizoi vendimin e Këshillit Drejtues të këtij universiteti për zgjedhjen e Agron Bajraktarit në pozitën e rektorit.
Ndiqeni kronikën e plotë:





