Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe lideri rus, Vladimir Putin, janë takuar ditën e sotme (e mërkurë) për herë të parë pas më shumë se një viti, ndërsa po bëhen gati për bisedime madhore në Kinë së bashku me presidentin kinez, Xi Jinping, raporton BBC, transmeton Sinjalit.

Sipas detajeve, presidenti amerikan është pritur nga udhëheqësi kinez sapo ka zbritur nga avioni në Shenzhen, ku po mbahet samiti i liderëve të rajonit Azi-Paqësor (APEC). Ky samit pritet të kulmojë me një takim tejet të rëndësishëm mes treshes Trump, Xi dhe Putin.
Pas një shtrëngimi duarsh dhe një përqafimi të shoqëruar me kujdes mes Trump dhe Xi në pistën e aeroportit, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka përshëndetur dhe ka shkëmbyer fjalë kortezie edhe me liderin rus, pak para nisjes së pritjes zyrtare.
Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se Trump dhe Putin pritet të zhvillojnë një takim kokë më kokë ditën e enjte, në margjinat e samitit, ku fokusi kryesor pritet të jetë lufta në Ukrainë.
Megjithatë, vëmendja më e madhe e këtij forumi do të jetë tek tryezë e përbashkët mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë – hera e parë që ky trio liderësh takohen personalisht së bashku.
Ndonëse agjenda e plotë ende nuk është bërë zyrtarisht publike, aludimet flasin për tema të nxehta që pritet të diskutohen, përfshirë luftërat në Ukrainë e Iran, përhapjen e armëve bërthamore, tensionet e ashpra tregtare, si dhe sfidat e zhvillimit në fushën e inteligjencës artificiale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





