Një foshnjë e porsalindur është gjetur e braktisur brenda një qeseje pasditen e 12 tetorit në Cinisello Balsamo, pranë Milanos në Itali.

I porsalinduri, një djalë që ende kishte placentën të lidhur dhe ishte mbështjellë me një copë pëlhure, u zbulua nga një grua që po shëtiste qenin e saj në zonën mes rrugëve Monte Ortigara dhe Pasubio.
Sipas mediave italiane, gruaja dëgjoi disa tinguj dhe rënkime të lehta, çka e shtyu të afrohej te qesja e lënë mes pemëve. Pasi kuptoi se brenda saj ndodhej një foshnjë, ajo njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës.
Ngjarja u raportua rreth orës 16:15, ndërsa në vendin e ngjarjes mbërritën ekipet mjekësore dhe forcat e policisë.
Foshnja u transportua me urgjencë në spitalin Niguarda në Milano, ku po merr trajtim mjekësor. Sipas raportimeve të mediave lokale, gjendja e tij shëndetësore është kritike.
Sipas informacioneve të publikuara nga “MilanoToday”, lindja dyshohet të ketë ndodhur rreth dy orë para se foshnja të gjendej.
Ndërkohë, policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personin që e ka braktisur të porsalindurin.
Deri më tani, nuk ka informacione të tjera zyrtare për identitetin e personit të dyshuar, ndërsa hetimet vijojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Tronditëse: Foshnja e porsalindur gjendet e braktisur në një qese pranë Milanos appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




