Peja vazhdon të kalojë nëpër një periudhë të vështirë, pasi ka pësuar humbjen e shtatë radhazi në Superligën e Kosovës në basketboll.

Skuadra pejane, pavarësisht ndryshimeve të bëra në përbërje, nuk arriti t’i japë fund serisë negative, duke u mposhtur të dielën mbrëma nga Trepça me rezultat të ngushtë 85:83, në derbin e xhiros së nëntë, të zhvilluar në palestrën “Karagaçi”.
Ndeshja nisi më mirë për vendasit, të cilët fituan çerekun e parë 23:22 dhe shkuan në pushim me epërsi prej dy pikësh, 47:45.
Megjithatë, kampionia në fuqi reagoi fuqishëm në çerekun e tretë, të cilin e fitoi me rezultat 27:12, duke krijuar një epërsi prej 13 pikësh (72:59) para dhjetë minutave të fundit.
Trepça dukej se e kishte siguruar fitoren kur, 3:38 minuta para fundit, ishte në epërsi 80:68. Por Peja nuk u dorëzua dhe nisi një rikthim të fuqishëm, duke u afruar fillimisht në 80:76, me 1:49 minuta të mbetura.
Vendasit arritën ta ngushtonin diferencën deri në vetëm dy pikë, por mitrovicasit arritën ta menaxhonin epërsinë dhe të largoheshin nga Peja me fitoren e radhës.
Më efikasi te Trepça ishte Shawn Jones me 13 pikë e 11 kërcime, ndërsa Dardan Kapiti kontribuoi me 16 pikë e katër kërcime. Nga 13 pikë realizuan edhe Ja’Cori Payne dhe Drew Thelwell.
Te Peja shkëlqeu Dominic Artis me 26 pikë, tetë kërcime dhe gjashtë asistime. Gray Ricks shtoi 16 pikë, ndërsa Xavier Johnson regjistroi dyshifror të dyfishtë me 12 pikë e dhjetë kërcime.
Në këtë takim nuk ishte i pranishëm Dardan Berisha, të cilin Peja e riktheu gjatë javës në skuadër.
Me këtë fitore, Trepça vazhdon serinë pozitive prej gjashtë triumfesh radhazi në Superligë dhe kryeson tabelën me 16 pikë. Në anën tjetër, Peja mbetet në pjesën e poshtme të renditjes me 11 pikë.
Vlen të theksohet se fitorja e fundit e Pejës në parket ishte pikërisht ndaj Trepçës, në xhiron e dytë, më 26 shtator, kur triumfoi në Mitrovicë me rezultat 87:81. Ndërsa në xhiron e parë kishte fituar zyrtarisht ndaj Sigal Prishtinës./Telegrafi/





