Një 61-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën tragjikisht në një aksident në vendin e punës në Itali, pasi është zënë poshtë nga një portë e madhe metalike që u rrëzua papritur.

Viktima është identifikuar si B.R., pronar i një kompanie ndërtimi, i cili ndërroi jetë mëngjesin e së mërkurës në Casarano, në provincën e Leçes.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi në zonën Contrada Spagnolo, ku 61-vjeçari u godit nga një portë e madhe metalike rrëshqitëse, e cila u rrëzua papritur dhe e zuri poshtë.
Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, por, pavarësisht ndërhyrjes, nuk arritën ta shpëtonin. Mjekët konstatuan vdekjen e tij në vendin e aksidentit.
Në vendngjarje dolën edhe efektivët e Karabinierëve dhe inspektorët e SPESAL-it, institucioni përgjegjës për sigurinë në vendin e punës.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rrëzimit të portës metalike dhe rrethanat në të cilat ndodhi aksidenti fatal.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




