Një 80-vjeçar dhe një 16-vjeçar kanë humbur jetën pasi një aeroplan i vogël u rrëzua në Skoci, ka njoftuar Policia e Skocisë.

Aksidenti ndodhi të premten, rreth orës 16:45, në verilindje të Drymenit, në zonën e Stirlingut. Shërbimet emergjente u njoftuan për incidentin, por dy personat që ndodheshin në aeroplan u shpallën të vdekur në vendin e ngjarjes.
Familjarët e viktimave janë njoftuar për vdekjen e tyre.
Aeroplani ishte nisur nga Aeroporti i Glasgout pak pas orës 16:15, ndërsa sinjali i tij u ndërpre rreth 20 minuta më vonë.
Drejtori menaxhues i Aeroportit të Glasgout, Gavin Birch-Williams, e cilësoi ngjarjen si tragjike, duke shprehur ngushëllimet për familjarët dhe miqtë e viktimave.
“Jemi në dijeni të një incidenti që përfshin një aeroplan të vogël, i cili ishte nisur nga Aeroporti i Glasgout. Kjo është një ngjarje thellësisht tragjike dhe mendimet tona, si dhe ngushëllimet më të sinqerta të të gjithë stafit të Aeroportit të Glasgout, janë me miqtë dhe familjet e prekura”, deklaroi ai.
Pas aksidentit, në zonën e Drymenit janë vendosur kufizime të përkohshme të hapësirës ajrore, përfshirë edhe fluturimet me dronë. Policia ka paralajmëruar se fluturimi në hapësirën ajrore të kufizuar përbën vepër penale.
Hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit i ka marrë përsipër Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore (AAIB).
“Një ekip ka udhëtuar drejt vendit të aksidentit, pranë Drymenit, në veri të Glasgout, për të kryer verifikimet dhe për të mbledhur prova në kuadër të hetimit të sigurisë”, thuhet në deklaratën e këtij institucioni.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Tragjedi ajrore në Skoci, dy të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit – në mesin e viktimave një i mitur appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




