Dy persona janë vënë në pranga nga policia në Tiranë. Ata janë identifikuar si 30-vjeçari, Viorel Tafa dhe 33-vjeçari, Sadik Driza.

30-vjeçari është vënë në pranga pasi në shtator kishte qëlluar me armë zjarri ndaj një servisi pranë mbikalimit të Kasharit. Gjatë kontrollit të banesës, mësohet se iu gjet një fenelinë e ngjashme me ato që përdorin shërbimet e Policisë.
Policia thekson se i arrestuari tjetër u prangos pasi ai ishte në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Mësohet se ka plagosur me armë zjarri në këmbë një 54-vjeçar në rrugën “Kadri Prishtina”, shkruan Euronews.al, transmeton klankosova.tv.
“Tiranë/ Qëlloi me armë zjarri në drejtim të një subjekti në shtator të 2026, ndalohet 30-vjeçari. Gjatë kontrollit të banesës iu gjet një fenelinë e ngjashme me ato që përdorin shërbimet e Policisë. Plagosi me armë zjarri një 54-vjeçar, 3 ditë më parë, vihet në pranga autori i dyshuar.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ndaluan shtetasin V. T., 30 vjeç. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjera ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një servisi pranë mbikalimit të Kasharit, më datë 10.09.2026.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet një fenelinë e ngjashme me ato që përdoren nga shërbimet e Policisë. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, finalizuan operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi S. D., 33 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas dyshohet se më datë 14.10.2026, në rrugën “Kadri Prishtina”, ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin G. A., 54 vjeç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.




