Sipas gazetës britanike, Infantino ka përfituar gjatë vitit 2024 më shumë se 1.6 milionë euro shtesë nga kompania amerikane që kishte të drejtat e organizimit të Kampionatit Botëror 2026. Kjo shumë, sipas “The Times”, i shtohet pagës prej 4.57 milionë eurosh të deklaruar nga FIFA në raportin e saj vjetor.
Hetimi ngre shqetësime për faktin se pagesat shtesë nuk janë pasqyruar në raportimin publik të të ardhurave të presidentit të FIFA-s. Burime të cituara nga gazeta pretendojnë se pagesa të ngjashme, madje edhe në vlera më të larta, mund të jenë kryer edhe gjatë viteve 2025 dhe 2026.

Çështja lidhet drejtpërdrejt me transparencën financiare të FIFA-s. Neni 43 i statutit të organizatës parashikon publikimin e pagesave individuale për presidentin, anëtarët e Këshillit dhe sekretarin e përgjithshëm.
Miguel Maduro, ish-kryetar i komitetit drejtues të FIFA-s, ka kërkuar një hetim të pavarur, duke e cilësuar situatën si një shkelje të mundshme të rregullave. Në një deklaratë për “The Times”, ai ka theksuar se presidenti i FIFA-s mund të ketë një pagë të lartë, por pagesat duhet të jenë transparente.
Në raportim përmendet edhe banimi i Infantinos në Miami, ku ai kishte në dispozicion një vilë luksoze në zonën Sunset Islands. Sipas burimeve të gazetës, një pjesë e pagesave shtesë mund të ketë lidhje me shpenzimet e banimit.
Një zëdhënës i presidentit të FIFA-s ka deklaruar se Infantino ka paguar qira për tre vjet dhe se tashmë nuk jeton më në atë pronë.
Nga ana tjetër, FIFA ka bërë të ditur se të ardhurat dhe pagesat e presidentit administrohen nga nënkomiteti përgjegjës dhe se informacionet përkatëse u janë dorëzuar autoriteteve amerikane, në përputhje me detyrimet ligjore. Megjithatë, sipas raportimit të “The Times”, organizata nuk ka dhënë një shpjegim të qartë se përse pagesat shtesë nuk janë përfshirë në raportin e saj vjetor.
Këto pretendime vijnë në një periudhë kur Infantino po përballet me presion edhe për projektin e dështuar të shitjes së kuotave të Botërorit te investitorët privatë. Pavarësisht polemikave, ai ka bërë të ditur synimin për të kandiduar sërish për postin e presidentit të FIFA-s.
Afati i fundit për zyrtarizimin e kandidaturave, sipas raportimit, është 18 nëntori.
Burimi: RTKLive




