Tetori nuk duhet të jetë muaji i vetëm kur flasim për kancerin e gjirit

Tetori nuk duhet të jetë muaji i vetëm kur flasim për kancerin e gjirit

Tetori nuk duhet të jetë muaji i vetëm kur flasim për kancerin e gjirit

Shkruan: Nora Makolli

Sot në mëngjes, teksa po blija ushqim për djalin tim para se të nisej për në shkollë, vura re diçka që më bëri të ndalem për një moment. Shishet e ujit të një kompanie të njohur në Kosovë ishin mbështjellë me ngjyrën rozë dhe simbolin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Sponsor 3M Express

Si një grua që ka kaluar vetë nëpër këtë rrugëtim, buzëqesha. Është gjithmonë prekëse të shohësh se kjo sëmundje nuk harrohet dhe se ka njerëz e kompani që tregojnë solidaritet me ata që po luftojnë ose kanë luftuar me të.

Por menjëherë pas buzëqeshjes më lindën pyetjet: A mjafton një mbështjellës rozë në një shishe uji për të ngritur ndërgjegjësimin? A i bën ai njerëzit të reflektojnë për shëndetin e tyre? A i shtyn vajzat dhe gratë të kontrollohen më herët? Apo thjesht na kujton për disa sekonda se është muaji tetor dhe më pas vazhdojmë jetën sikur asgjë të mos ketë ndodhur?

Mos më keqkuptoni. Çdo iniciativë është e mirëseardhur dhe meriton vlerësim. Por, për mendimin tim, ndërgjegjësimi i vërtetë duhet të jetë shumë më i thellë se kaq.

Ai duhet të fillojë në shkolla. Duhet t’u mësojmë vajzave dhe djemve tanë që kujdesi për shëndetin nuk është luks dhe as diçka që duhet menduar vetëm kur sëmuremi. Duhet të bëhet kulturë. Duhet të bëhet pjesë e jetës sonë të përditshme.

Gjatë muajit tetor shohim emisione, intervista dhe diskutime me onkologë që flasin për sëmundjen nga aspekti profesional. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por rrallëherë shoh të ftohen njerëzit që e kanë përjetuar vetë këtë betejë.

Njerëzit që e dinë si ndihet një grua kur dëgjon për herë të parë fjalët: “Ju keni kancer.”

Njerëzit që i njohin netët pa gjumë, frikën, pasigurinë, lotët e fshehur dhe shpresën që mbijeton edhe në ditët më të vështira.

Sepse statistikat na informojnë, por historitë njerëzore na prekin.

Ndoshta pikërisht dëshmitë e atyre që kanë kaluar nëpër këtë përvojë do të arrinin të shpëtonin jetë më shumë se çdo fushatë. Sepse kur dëgjon dikë që ka qenë aty ku mund të jesh nesër ti, fillon të mendosh ndryshe.

Ajo që më shqetëson më shumë është fakti se rastet e kancerit të gjirit vazhdojnë të rriten nga viti në vit dhe se gjithnjë e më shpesh po prek edhe mosha më të reja. Kjo duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë ne. Ndërgjegjësimi nuk duhet të zgjasë vetëm një muaj. Nuk duhet të fillojë në tetor dhe të përfundojë në fund të tij. Duhet të jetë i pranishëm gjatë gjithë vitit.

Duhet të krijohen më shumë mundësi për kontrolle parandaluese, më shumë edukim dhe më shumë mbështetje. Duhet të vijë dita kur kontrolli i rregullt shëndetësor të konsiderohet po aq normal sa një vizitë e zakonshme te mjeku.

E keqja e kësaj sëmundjeje është se shpesh vjen në heshtje.

Edhe unë, kur mora diagnozën e kancerit të gjirit në një stad të avancuar, nuk mund ta besoja. Ndihesha mire, shkoja në punë, kujdesesha për familjen, bëja plane për të ardhmen. Nuk ndihesha e sëmurë.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse kanceri mund të jetë kaq i rrezikshëm. Ai nuk të paralajmëron gjithmonë. Nuk të jep gjithmonë shenja. Ndonjëherë rritet në heshtje ndërsa ti vazhdon jetën tënde duke menduar se gjithçka është në rregull.

Prandaj kontrollet shpëtojnë jetë.

Sot, mesazhi im nuk është vetëm për gratë që po luftojnë me këtë sëmundje. Është edhe për ato që ndihen mirë dhe mendojnë se nuk kanë arsye të kontrollohen. Është për vajzat e reja. Është për nënat, motrat dhe bijat tona. Mos pritni derisa trupi t’ju japë një arsye.

Dhe për të gjitha bashkudhëtaret e mia në këtë rrugëtim të vështirë, dua të them vetëm një gjë:

Mos e humbni shpresën.

Lutem që Zoti t’u japë forcë të gjithëve atyre që janë në këtë betejë. Lutem që shkenca të vazhdojë të ecë përpara dhe që një ditë kanceri të jetë vetëm një kujtim i largët për brezat që do të vijnë pas nesh.

Deri atëherë, le të mos flasim për të vetëm në tetor. Le të kujtojmë se pas çdo statistike, pas çdo shiriti rozë dhe pas çdo fushate, ekziston një njeri. Një nënë. Një bijë. Një motër. Një histori.

Dhe ajo histori meriton të dëgjohet.

The post Tetori nuk duhet të jetë muaji i vetëm kur flasim për kancerin e gjirit appeared first on Insajderi.

Lexo edhe

Merret vendimi për Granit Xhakën në Zvicër

Merret vendimi për Granit Xhakën në Zvicër

Skenari i pazakontë në SHBA, 23-vjeçarja shtiret si mësuese zëvendësuese dhe fyen nxënësit: E bëra nga mërzia, i urrej fëmijët

Skenari i pazakontë në SHBA, 23-vjeçarja shtiret si mësuese zëvendësuese dhe fyen nxënësit: E bëra nga mërzia, i urrej fëmijët

Policia përdori gazlotsjellës me afat të skaduar ndaj protestuesve? – Ramadani kërkon hetim

Policia përdori gazlotsjellës me afat të skaduar ndaj protestuesve? – Ramadani kërkon hetim