Ndërmarrja publike “Termokos” pritet të nisë furnizimin me ngrohje më 15 tetor, në afatin e zakonshëm të fillimit të sezonit të ngrohjes. Zëdhënësja e kësaj ndërmarrjeje, Aferdita Uka, ka thënë për KosovaPress se përgatitjet për sezonin e ri kanë përfunduar me kohë dhe se aktualisht janë duke u realizuar testimet e fundit të pajisjeve.
Sipas Ukës, Termokosi aktualisht ka mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes, ndërsa furnizimi në fillim të sezonit do të bëhet gradualisht, për të ruajtur funksionimin e sistemit dhe për të shmangur dëmtimet e mundshme teknike.

“Nga periudha e verës, janë kryer të gjitha intervenimet e nevojshme, ndërhyrja në rrjetin e ngrohjes kudo që ka pasur vështirësi në qarkullimin e ngrohjes gjatë sezonit të kaluar ngrohës, a është vërejtur ndonjë dobësi, diçka e rrjetit, ka pasur ndërhyrje nëpër pajisjet e ngrohjes, pastrim, zëvendësim të ventileve, dhe gjithë këto përgatitje pra janë përfunduar me kohë. Tani jemi duke i realizuar testimet e fundit të këtyre pajisjeve para se të fillojmë marrjen e sasive të para të avullit nga KEK-u për të prodhuar energji ngrohëse dhe për ta shpërndarë atë tek mbi 25 mijë konsumatorë sa i kemi të kyçur aktualisht në rrjetin tonë të ngrohjes”, ka thënë Uka.
Sa i përket zgjerimit të rrjetit, Uka ka bërë të ditur se nuk pritet të ketë rritje të madhe të numrit të konsumatorëve krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa zgjerimi më i madh pritet të realizohet përmes projekteve kapitale.
“Në raport me vitin e kaluar, nuk ka pasur ndonjë zgjerim më të madh të numrit të konsumatorëve, për arsye se vitin e kaluar kanë përfunduar projektet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, të cilat kanë qenë të realizuara falë projekteve me donatorë ndërkombëtarë, me mbështetjen financiare të donatorëve ndërkombëtarë, por edhe me një participim mjaft të dukshëm edhe nga ndërmarrja jonë me mjete vetanake, pra. Ndërsa ndërkohë, që nga përfundimi i sezonit ngrohës deri më tani, ka pasur kërkesa individuale të një objekti banesor apo ndonjë institucioni kudo që është parë se ka mundësi, ka kapacitet, ka kapacitet termik mjaftueshëm për të furnizuar me ngrohje edhe ndonjë objekt shtesë”, ka deklaruar ajo.
Uka ka theksuar se përmes projektit “Solar 4 Kosovo” dhe projekteve të tjera për rritjen e kapaciteteve, synohet zgjerimi i rrjetit edhe në lagje të Prishtinës që aktualisht nuk janë të përfshira në sistemin e ngrohjes.
Duke folur për tarifat e ngrohjes, Uka ka bërë të ditur se vendimi për çmimet i takon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ndërsa ndërmarrja është në pritje të tarifave të reja.
Për sa i përket mundësisë së ndërprerjeve të furnizimit gjatë sezonit, Uka ka thënë se, pavarësisht përgatitjeve dhe investimeve në rrjet, nuk mund të përjashtohen plotësisht problemet teknike, për shkak të shtrirjes së gjerë të sistemit./KP
Burimi: Dukagjini




