Një diamant i rrallë rozë do të ekspozohet në Francë për herë të parë që nga vjedhja e tij, pothuajse 100 vjet më parë.

Gur i çmuar në formë dardhe, me peshë nëntë karatë, i njohur si “Grand Condé”, u vodh gjatë një grabitjeje natën në tetor të vitit 1926, në Kështjellën Chantilly.
Hajdutët e kishin fshehur diamantin brenda një molle të zbrazur.
Diamanti, një prej pak xhevahireve mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez, u gjet disa javë më vonë, pasi një shërbyese e uritur në hotelin ku po qëndronin hajdutët kafshoi mollën.
Tani, diamanti do të ekspozohet sërish në Muzeun Conde, në Kështjellën Chantilly, deri më 3 janar, transmeton Klankosova.tv
Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, tha se, ndonëse historia e mollës mund të duket e pabesueshme, ajo ishte raportuar gjerësisht nga gazetat e kohës.
Ai është pyetur nëse ekspozita mund të tërheqë vëmendjen e hajdutëve, veçanërisht pas një vargu grabitjesh në institucionet kulturore evropiane gjatë 12 muajve të fundit, përfshirë vjedhjen e guximshme të bizhuterive nga Muzeu i Luvrit në Paris, në mes të ditës.
Deldicque nuk pranoi t’i tregonte CNN-it se për çfarë shume ishte siguruar diamanti, por theksoi se janë kryer studime të hollësishme akademike për vetitë e tij, me qëllim që të mund të identifikohet në mënyrë unike.
Sipas muzeut, rezultatet e këtyre analizave, së bashku me materiale arkivore të papublikuara më parë për historinë e diamantit dhe vjedhjen e tij, janë pjesë e ekspozitës.




