Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve kosovarë të kërkuar me letër-rreshtim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale. Njëri prej tyre është ekstraduar nga Gjermania, ndërsa tjetri nga Zvicra.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimet u realizuan më 13 dhe 14 tetor, në koordinim me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, njësitet përkatëse të policisë dhe institucionet e drejtësisë, transmeton KLankosova.tv.
Më 13 tetor, nga Gjermania u ekstradua një shtetase kosovare, e cila kërkohej për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pas mbërritjes në Kosovë, ajo iu dorëzua njësive përkatëse policore në rajonin e Pejës për vazhdimin e procedurave ligjore.
Ndërkaq, sot, nga Zvicra u ekstradua një shtetas kosovar, i kërkuar për veprën penale “grabitje”. Pas ekstradimit, ai iu dorëzua njësive përkatëse policore në rajonin e Gjilanit për procedurat e mëtejshme ligjore.
Të dy personat ishin arrestuar nga autoritetet e shteteve përkatëse, pasi ndaj tyre ishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, me kërkesë të institucioneve të drejtësisë së Kosovës.
Policia e Kosovës bëri të ditur se ekstradimet u realizuan në bazë të legjislacionit në fuqi, falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të Gjermanisë dhe Zvicrës.




