Gazetari Lirim Mehmetaj i është përgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, pas deklarimit të këtij të fundit se ishte ankuar në polici lidhur me postimin e tij.
Mehmetaj ka thënë se Geci ka dërguar familjarë në zyrën e tij, duke thënë se ankesën në polici e ka bërë vetëm pasi rasti mori përmasa publike.

“Deputeti i pushtetit Fatos Geci paska shkruar se është ankuar për mua në polici, duke dashur kështu të tregojë se ai i përcjellë rrugët institucionale për të zgjidhur problemet.
Sikur të ishte kështu, nuk do të dërgonte familjarë në zyrën time, madje edhe po të donin ata do t’i ndalonte ky duke iu treguar se këto punë zgjidhen përmes rrugëve institucionale.
E vërteta është se ai ka shkuar në polici vetëm pasi ngjarja i ka marrë përmasat që i ka marrë, duke treguar kështu se ai nuk e respekton as shtetin që vetë partia e tij e udhëheqë.
Përndryshe, nuk mund ta dërgosh askë në polici për opinione. Në shtete demokratike të paktën jo. Njëjtë siç nuk mund ta dërgojë askush Fatos Gecin në polici për atë që ka thënë ai.
Nëse ai beson se ka elemente të shpifjes, apo fyerjes në postimin tim, mund të më paditë për shpifje e fyerje dhe ballafaqohemi në gjykatë.
Koha kur njerëzit dërgohen në burg për opinione ka marrë fund dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ajo kohë të rikthehet prapë”, ka shkruar Mehmetaj.
Ndërkaq, Fatos Geci ka deklaruar se as Policia e Kosovës dhe as Prokuroria nuk e kanë njoftuar nëse kanë ndërmarrë veprime lidhur me rastin e tij. Ai ka pretenduar se pas postimit të Mehmetajt, ai dhe familja e tij kanë marrë qindra kërcënime me jetë.
Geci ka bërë të ditur se do t’i drejtohet me ankesë zyrtare Kryeprokurorit të Shtetit, duke kërkuar sqarime për trajtimin e kallëzimit të tij lidhur me pretendimet për gjuhë të urrejtjes dhe shpifje.
Ai ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të veprojnë pa dallime, duke theksuar se siguria e tij dhe e familjes nuk duhet të trajtohet si çështje politike, por si çështje e sundimit të ligjit.
“Deri më sot, as Policia e Kosovës dhe as Prokuroria nuk më kanë njoftuar nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me rastin tim. Nuk kam marrë asnjë informacion nëse “gazetari” në fjalë është thirrur për t’u intervistuar lidhur me postimin e tij, pas të cilit unë dhe familja ime kemi marrë qindra kërcënime me jetë.
Pse, edhe pas tri ditësh, nuk ka ende një përgjigje të qartë nga institucionet e drejtësisë? Pse gjuha e urrejtjes, shpifjet dhe nxitja nuk po marrin vëmendjen e duhur institucionale?
Kjo situatë ma kujton periudhën e vitit 2000, kur në gazetën Epoka e Re publikoheshin shkrime përmes të cilave na etiketonin si tradhtarë. Pastaj në vitin 2001, pas një periudhe të tensionuar dhe të mbushur me nxitje politike, u vranë shokët tanë, Besim Dajaku dhe gazetari Bekim Kastrati, si dhe ndodhën shumë raste të tjera të vrasjeve me motive politike. Këto janë plagë të rënda të së kaluarës, të cilat na kujtojnë se sa e rëndësishme është që gjuha e urrejtjes dhe nxitja të mos neglizhohen.
Si deputet i Republikës së Kosovës, me përgjegjësi publike dhe me të drejtën për të kërkuar mbrojtjen e ligjit, sot do t’i drejtohem Kryeprokurorit të Shtetit me një ankesë zyrtare. Do të kërkoj sqarime se përse, edhe pas tri ditësh, nuk jam njoftuar për shqyrtimin e kallëzimit tim lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe shpifjen, si dhe pse nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, ka shkruar Geci.
Burimi: Dukagjini




