Qeveria e Kosovës ka miratuar disa vendime në mbledhjen e 11-të të mbajtur të hënën, më 16 nëntor, ku në fokus ishte sektori i energjisë elektrike, por edhe një numër projektligjesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare.
Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka miratuar vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara që kanë lidhje pronësore ose organizative me Serbinë.

Sipas vendimit, ndalimi përfshin blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, drejtpërdrejt ose përmes tranzitit apo rishitjes në një apo më shumë shtete të treta.
Për identifikimin e këtyre ndërmarrjeve është obliguar Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), e cila do të shqyrtojë të dhënat e regjistrimit, pronësinë dhe pronarët përfitues. Ndalimi nuk do të përfshijë aktivitetet që burojnë nga marrëveshjet e dialogut për energjinë të viteve 2013, 2015 dhe 2022.
Po ashtu, Qeveria ka shpallur masa emergjente për furnizimin me energji, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit.
Një tjetër vendim i miratuar ka të bëjë me vendosjen e obligimit të shërbimit publik ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit, me qëllim të adresimit të mungesës së prodhimit të planifikuar nga njësia B1 e Termocentralit “Kosova B”.
Në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për Projektligjin për ratifikimin e Konventës për Marrëveshjen për Zgjedhjen e Gjykatës, Konventën e Ljubljanës/Hagës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Hetimin dhe Ndjekjen e Krimeve Ndërkombëtare, si dhe Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në Çështje Civile apo Tregtare.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për ratifikimin e Protokollit për ndryshimin e Marrëveshjes mbi statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, si dhe dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve me Francën: atë për ekstradim dhe atë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që lidhen me racionalizimin dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies së agjencive ekzekutive, me synim rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e administrimit të institucioneve.
Në mesin e vendimeve të tjera është edhe miratimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sistemin e Sigurimit të Depozitave për Institucionet Financiare në Kosovë. Sipas Qeverisë, ndryshimet synojnë forcimin e mbrojtjes së depozitorëve dhe stabilitetit financiar, si dhe përditësimin e rregullave për kompensimin dhe administrimin e Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës.
Gjithashtu, është miratuar Projektligji Kundër Dukurive Negative në Sport, që synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të barabartë në organizimin e ngjarjeve sportive, të lirë nga dhuna dhe dukuritë e tjera negative.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Emergjencat dhe Monitorimin Radiologjik, e cila përcakton masat për menaxhimin e emergjencave radiologjike dhe mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe mjedisit nga efektet e materialeve radioaktive.
Ekzekutivi ka miratuar gjithashtu Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, si dhe vendimin për vendosjen e regjimit të vizave për shtetasit e Belizesë.
Sa u përket ndarjeve buxhetore, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor për ndarjen e 1 milion e 375 mijë e 726 eurove për projektin “Nxitja dhe Levizimi i Mundësive për Sigurinë e Ujit”, përmes Klauzolës së Investimeve.
Po ashtu, është miratuar kërkesa e Komunës së Fushë Kosovës për transferimin e 406 mijë eurove, si dhe kërkesa e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për zbatimin e Masës 3.8 – Bursa e Mobilitetit për Studentë të Pakos për Ringjallje Ekonomike.
Qeveria ka miratuar edhe Koncept-dokumentin për Identifikimin Elektronik, Shërbimet e Besuara dhe Kuletën e Identitetit Digjital, i cili synon hartimin e një ligji të ri në përputhje me rregulloren evropiane eIDAS 2.0.
Burimi: Dukagjini





