Tahiri: VV-ja humbi fondet evropiane me “kryeneçësinë” e saj, Kosova e ka humbur besimin e BE-së dhe SHBA-së

Tahiri: VV-ja humbi fondet evropiane me “kryeneçësinë” e saj, Kosova e ka humbur besimin e BE-së dhe SHBA-së

Tahiri: VV-ja humbi fondet evropiane me “kryeneçësinë” e saj, Kosova e ka humbur besimin e BE-së dhe SHBA-së

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe shumicën qeverisëse për humbjen e fondeve të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë si një dështim të madh të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Sponsor 3M Express

Në një bisedë për Ekonomia Online, Tahiri ka thënë se këto mjete financiare do të mund të përdoreshin për investime në shkolla, projekte kapitale dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, humbja e fondeve është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të shumicës qeverisëse, përkatësisht të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Humbjet e fondeve të dedikuara për qytetarët e Kosovës janë një gabim jashtëzakonisht i madh i shumicës që udhëheq sot me Kosovën dhe si rrjedhojë janë duke humbur më shumë investime në shkolla, më shumë investime kapitale dhe më shumë benefite për qytetarët e Kosovës. Pra, këto kanë shkuar. Sado që i vajtojmë, nuk besoj që fitojmë diçka”, ka deklaruar Tahiri.

Megjithatë, deputeti i Aleancës ka theksuar se Kosova ka ende kohë deri më 31 dhjetor për t’i përmbushur disa nga obligimet që lidhen me Planin e Rritjes, në mënyrë që të përfitojë mbi 100 milionë euro në formë grantesh dhe kredish.

Ai ka përmendur edhe detyrat që kanë mbetur për Kuvendin dhe Qeverinë, duke veçuar miratimin e Kodit të Etikës si një nga obligimet kryesore të Kuvendit, i cili, sipas tij, duhet të kalojë deri më 6 milionë.

“Ajo që sot duhet të bëjmë ne është që deri më 31 dhjetor janë disa detyra që i ka Kosova, të cilat duhet t’i përfundojë në mënyrë që ta marrë një shumë mbi 100 milionë euro për Kosovën, se janë të ndara. Tani Kuvendi i ka disa detyra, i ka dy, por më kryesorja është Kodi Etik, i cili duhet të kalojë deri më 6 milionë, ndërsa qeveria e ka një mori ligjesh dhe veprimesh që duhet t’i marrë, në mënyrë që, në qoftë se nuk i bën, përgjegjësia është e saj e drejtpërdrejtë”, ka potencuar ai.

Tahiri ka rikthyer vëmendjen edhe te bllokadat institucionale të viteve 2025 dhe 2026, duke thënë se përgjegjësia për mosrealizimin e obligimeve dhe humbjen e fondeve bie mbi shumicën parlamentare dhe Qeverinë.

Ai ka përsëritur akuzat ndaj Vetëvendosjes, duke e cilësuar kryeneçësinë e saj si shkakun e humbjes së mjeteve të dedikuara për qytetarët.

“Nuk ka as dilemë dhe nuk është fshehtësi që ne i kemi humbur fondet e dedikuara për qytetarët e Kosovës për shkak të kryeneçësisë së shumicës, respektivisht Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, kjo ka shkuar. Sado që vajtojmë, nuk fitojmë. Ajo që sot po them është që e kemi edhe një afat kohor, dhe ai afat kohor është 31 dhjetori i këtij viti, për të cilin duhet të luftojmë shumë, t’i përfundojmë detyrat, në veçanti qeveria që e ka një varg, një mori kërkesash dhe obligimesh që duhet t’i përfundojë dhe dy detyra i ka Kuvendi që besoj do t’i përfundojë. Pra, është përgjegjësi e shumicës parlamentare, e kësaj qeverie”, ka shtuar Tahiri.

Deputeti ka shprehur shqetësimin edhe për ndikimin që mospërmbushja e reformave dhe humbja e fondeve evropiane mund të kenë në raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, besimi i partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës ka rënë, ndërsa si shembuj ka përmendur përjashtimin e vendit nga dialogu strategjik me SHBA-në dhe masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Besimi i miqve ndërkombëtarë, në veçanti i Unionit Evropian, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka humbur. Pra, ne jemi të përjashtuar nga dialogu strategjik si Kosovë në marrëdhëniet SHBA Kosovë dhe kemi qenë në sanksione për dy vite e nëntë muaj prej Bashkimit Evropian. Pra, besim te ne nuk kanë”, ka thënë ai.

Tahiri ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të reflektojnë dhe të përmbushin obligimet që lidhen me proceset integruese, duke theksuar se orientimi euroatlantik është rruga e vetme për vendin.

“Ajo që ne duhet të bëjmë duhet të reflektojmë, ta thërrasim vetëdijen tonë shtetërore dhe institucionale, në veçanti qeveritarë, dhe t’i përmbushim obligimet tona, për shkak se rrugëtimi, respektivisht integrimi i Kosovës në BE, anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, në NATO, është rrugë njëkahëshe, s’kemi ne rrugë tjetër. Ne nuk jemi duke kërkuar destinacion tjetër për t’u integruar. Këto janë destinacionet tona”, ka deklaruar Tahiri.

Ndryshe, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas përfundimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ka paralajmëruar rishpërndarjen e fondeve që vendet e rajonit nuk kanë arritur t’i përfitojnë për shkak të mospërmbushjes së reformave.

Sipas raportimeve, fondet që Kosova nuk ka arritur t’i përfitojë pritet t’u ndahen Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Rishpërndarje të ngjashme pritet të ketë edhe për fondet e humbura nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Gjeneral Jashari uron pjesëtarët e FSK-së në Ditën e Forcës: Sot jemi më të përgatitur se kurrë

Gjeneral Jashari uron pjesëtarët e FSK-së në Ditën e Forcës: Sot jemi më të përgatitur se kurrë

Ushtarët bullgarë të KFOR-it zhvillojnë stërvitje me municion luftarak në Kosovë

Ushtarët bullgarë të KFOR-it zhvillojnë stërvitje me municion luftarak në Kosovë

Studentët synojnë presidencën e Serbisë, kandidati i tyre e quan Kosovën “territor të pushtuar”

Studentët synojnë presidencën e Serbisë, kandidati i tyre e quan Kosovën “territor të pushtuar”