Serbia pritet të mbajë zgjedhjet presidenciale më 27 dhjetor, por deklaratat e kandidatëve të mundshëm nuk paralajmërojnë ndryshim të qëndrimeve ndaj pavarësisë së Kosovës.

Në mesin e pretendentëve për garën presidenciale është edhe profesori i Fakultetit të Kimisë në Beograd, Radomir Saiçiq, i cili pritet të përfaqësojë Listën Studentore dhe ka siguruar mbështetjen e deputetëve të këtij grupimi.
Saiçiq ishte njëri nga profesorët e angazhuar gjatë protestave në Serbi dhe ndër 14 themeluesit e grupimit “Lista Studentore – Studentët fitojnë”.
Gjatë një paraqitjeje në mediumin publik serb RTS, ai e ka cilësuar Kosovën si “territor përkohësisht të pushtuar”. Po ashtu, kufirin ndërkombëtarisht të njohur ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës e ka përshkruar si “fiktiv dhe gjeometrik”.
Saiçiq është shprehur gjithashtu në favor të ruajtjes së marrëdhënieve me Moskën, duke pretenduar se Rusia e mbron integritetin territorial të Serbisë më shumë sesa pushteti në Beograd.
Qëndrime kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës kanë shprehur edhe disa nga pretendentët e tjerë për president. Sipas raportimeve të mediave serbe, Branko Pavlloviq, Bogoljub Kariq dhe Branimir Nestoroviq kanë konfirmuar pjesëmarrjen në garë.
Pavlloviq kundërshton njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërsa mbështet anëtarësimin në BRICS.
Ndërkohë, Partia e presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, ende nuk ka marrë vendim për pjesëmarrjen në zgjedhje.
Në mesin e emrave të përmendur si kandidatë të mundshëm janë edhe Ivica Daçiq nga Partia Socialiste e Serbisë dhe Aleksandar Vulin, themelues i Lëvizjes së Socialistëve. Të dy kanë qenë pjesë e pushtetit të deritashëm dhe kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.
Vulin e ka lidhur kandidaturën e mundshme me konceptin e të ashtuquajturës “Botë Serbe”.
“Dua të besoj se çdo president i ardhshëm do të jetë president i ‘Botës Serbe’”, ka deklaruar ai, sipas raportimeve të mediave serbe.
Kështu, pavarësisht ndryshimeve politike dhe angazhimit të studentëve në skenën politike serbe, deklaratat e deritanishme të kandidatëve të mundshëm nuk tregojnë ndryshim të qëndrimeve të tyre ndaj Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





