Të paktën tre persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse me dronë në Ukrainë të premten në mëngjes, ndërsa sulmet ndaj rrjetit energjetik kanë lënë rreth 370 mijë banorë pa energji elektrike në veriperëndim të vendit.

Në qytetin lindor të Kharkivit, dy persona humbën jetën dhe 12 të tjerë u plagosën nga sulmet në tri rrethe të qytetit, ka bërë të ditur guvernatori rajonal Oleh Syniehubov.
Ndërkohë, në rajonin veriperëndimor të Volynit, që kufizohet me Poloninë, një sulm me dron ndaj një objekti të përpunimit të ushqimit vrau një person dhe plagosi tetë të tjerë, sipas guvernatorit Roman Romaniuk.
Ekipet e riparimit kanë nisur punën për sanimin e dëmeve në rrjetin energjetik, ndërsa rreth 100 mijë banorë janë rilidhur me furnizimin me energji elektrike deri në orët e vona të mëngjesit.
Megjithatë, kryetari i Lutskut, qendrës rajonale të Volynit, Andriy Razumovskyi, ka paralajmëruar se ndërprerjet e energjisë elektrike mund të zgjasin të paktën 24 orë.
Sulmet ruse kanë goditur edhe dy qendra tregtare, një në qytetin verior të Sumyt dhe një tjetër në rajonin e Rivnes.
Sipas guvernatorit të Rivnes, Oleksandr Koval, shtatë persona janë plagosur nga dronët që goditën një qendër të madhe tregtare dhe lokacione të tjera në rajon.
Sulmet vijnë në vazhdën e goditjeve ruse ndaj infrastrukturës dhe objekteve civile në Ukrainë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Sulmet ruse me dronë vrasin të paktën tre persona në Ukrainë, 370 mijë banorë mbesin pa energji elektrike appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




