FBI po heton një shkelje të mundshme të bazës së të dhënave të saj për informacionet kriminale, raportojnë mediat amerikane, duke cituar dy persona të informuar për këtë çështje.

Baza e të dhënave e Qendrës Kombëtare të Informacionit për Krimet (NCIC) përdoret nga organet federale dhe lokale të zbatimit të ligjit për të shkëmbyer informacione mbi urdhërarrestet dhe kontrollet e të kaluarës së personave.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që hakerët kanë vënë në shënjestër FBI-në, agjencinë amerikane të inteligjencës dhe sigurisë së brendshme. Agjencia nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për koment, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
I pyetur për shkeljen gjatë një interviste për Fox News të shtunën, presidenti Donald Trump tha se sapo kishte dëgjuar për sulmin kibernetik.
“Do të them se kjo nuk është mirë. Nuk më pëlqen”, tha ai.
“Por ndoshta do të mësojmë gjëra që përndryshe nuk do t’i kishim mësuar kurrë”, shtoi Trump.
Kjo shkelje e mundshme e bazës së të dhënave të FBI-së vjen pas një varg ndërprerjesh teknologjike që goditën sektorin bankar, kontrollin e trafikut ajror dhe sektorë të tjerë në SHBA javën e kaluar. Zyrtarët kanë deklaruar se këto ndërprerje nuk janë shkaktuar nga sulme kibernetike, por ato kanë nxitur vëmendjen nga ligjvënësit.
Drejtori Kombëtar i Sigurisë Kibernetike në Shtëpinë e Bardhë, Sean Cairncross, u shkarkua këtë javë, ndërsa Trump deklaroi se ai nuk ishte mjaftueshëm i aftë për këtë pozitë.
Dan Lorhmann, ish-analist i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), i tha BBC News Channel se të dhënat e NCIC-së përfshijnë “informacione kritike që lidhen me aktivitetet kriminale në mbarë vendin” dhe se ato duhet të mbrohen.
Ai shtoi se, ndonëse agjencitë amerikane të sigurisë, përfshirë FBI-në, kanë “aftësi të jashtëzakonshme” për t’i mbajtur të sigurta këto informacione dhe gëzojnë “respekt në nivel global”, numri i sulmeve kibernetike në mbarë botën është në rritje.
“Ka shumë arsye të ndryshme pse po ndodh kjo, por unë kam besim te ekspertët tanë në qeveri”, tha Lorhmann.
Në shtator, FBI-ja deklaroi se po hetonte një shkelje të mundshme të sigurisë nga grupi i krimit kibernetik ShinyHunters, i cili pretendonte se kishte vjedhur informacione të ndjeshme për të gjithë punonjësit e Byrosë, rreth 38 mijë persona.
Pas atij sulmi, një ish-agjent i FBI-së i tha BBC-së se kishte frikë për sigurinë e punonjësve aktualë, pasi informacionet e tyre personale mund të bëheshin së shpejti të disponueshme në internet për kriminelët dhe hakerët e shteteve armiqësore.
Në një zhvillim tjetër, NBC raportoi për një sulm të mundshëm kibernetik ndaj Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA).
Punonjësit u njoftuan të enjten se sistemi i pagesave për fermerët ishte vënë në shënjestër të një sulmi, raportoi NBC. Departamenti Amerikan i Bujqësisë nuk ka bërë ende asnjë koment publik lidhur me këtë çështje.





