Studimi zbulon rrezikun e fshehur të udhëtimeve të përditshme me veturë, mund të dëmtojë zemrën

Studimi zbulon rrezikun e fshehur të udhëtimeve të përditshme me veturë, mund të dëmtojë zemrën

Studimi zbulon rrezikun e fshehur të udhëtimeve të përditshme me veturë, mund të dëmtojë zemrën

Kalimi i shumë orëve në veturë, veçanërisht gjatë udhëtimeve të përditshme për në punë dhe kthimit në shtëpi, mund të ndikojë negativisht në shëndetin e zemrës. Një studim i ri nga Universiteti i Houstonit ka zbuluar se stresi dhe përqendrimi i vazhdueshëm gjatë drejtimit të automjetit mund ta mbajnë zemrën nën ngarkesë më të madhe, edhe kur trupi qëndron ulur.

Sponsor 3M Express

Sipas studimit, ankthi dhe tensioni gjatë vozitjes mund të shkaktojnë rritje të ritmit të zemrës, madje edhe një rrahje shtesë në minutë te personat që kalojnë deri në tetë orë në ditë pas timonit, ka raportuar “The Independent”.

“Drejtimi i veturës kërkon vëmendje të vazhdueshme, marrje vendimesh dhe gatishmëri për të reaguar. Trupi mund të jetë ulur, por mendja është vazhdimisht në punë dhe zemra e pasqyron këtë ngarkesë”, ka shpjeguar Ioannis Pavlidis, një nga autorët kryesorë të studimit.

Pse mund të jetë problematike rritja e rrahjeve të zemrës?

Rrahjet shtesë të zemrës, të cilat mund të ndihen si dridhje ose goditje të forta në kraharor, zakonisht nuk paraqesin rrezik te personat me zemër të shëndetshme. Ato mund të shfaqen edhe gjatë periudhave të stresit.

Megjithatë, nëse këto çrregullime të ritmit përsëriten shpesh, është i nevojshëm vlerësimi mjekësor. Në raste të caktuara, një ritëm vazhdimisht i lartë i zemrës mund të kontribuojë në zhvillimin e kardiomiopatisë, një sëmundje që dobëson muskulin e zemrës.

Kjo gjendje mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë mpiksjen e gjakut dhe, në raste të rënda, arrestin kardiak.

Ekspertët theksojnë se ekziston një dallim i rëndësishëm mes rritjes së rrahjeve të zemrës gjatë aktivitetit fizik dhe asaj që ndodh gjatë drejtimit të automjetit. Gjatë ushtrimeve fizike, zemra pompon më shumë gjak dhe oksigjen për muskujt, duke sjellë përfitime për organizmin.

Në të kundërtën, gjatë qëndrimit të gjatë pas timonit, zemra mund të përjetojë ngarkesë të shtuar pa përfitimet shëndetësore që sjell aktiviteti fizik.

“Kur zemra punon më shumë ndërkohë që ne jemi ulur pas timonit, nuk përfitojmë asgjë nga efektet pozitive të ushtrimeve fizike. Kur kjo ndodh për periudha të gjata, çdo ditë, duhet të mendojmë për pasojat e mundshme në shëndetin afatgjatë”, paralajmëron Pavlidis.

Studimi analizoi rreth 180 mijë matje të rrahjeve të zemrës

Për të shqyrtuar ndikimin e drejtimit të automjetit, studiuesit përdorën orë inteligjente dhe telefona të mençur për të monitoruar ritmin e zemrës te 57 të rritur që jetojnë në qytetet e mëdha të Teksasit, përfshirë Houstonin, Dallasin dhe San Antonion.

Gjatë një jave, ekipi mblodhi rreth 180 mijë matje të rrahjeve të zemrës, të cilat më pas i krahasoi me të dhënat për kushtet atmosferike dhe trafikun.

Rezultatet treguan se në 94 për qind të kohës së kaluar duke drejtuar automjetin, rrahjet e zemrës së pjesëmarrësve ishin mbi nivelin normal të pushimit. Për krahasim, gjatë kohës që qëndronin ulur në shtëpi, kjo ndodhte në 81 për qind të kohës.

Nevojiten studime të mëtejshme

Pavarësisht gjetjeve, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime më të gjera për të kuptuar plotësisht ndikimin e drejtimit të automjetit në shëndetin kardiovaskular.

Në fazën e ardhshme, ekipi planifikon të përfshijë më shumë pjesëmarrës dhe t’i monitorojë ata për periudha më të gjata, me fokus të veçantë te personat që udhëtojnë distanca të mëdha për në punë dhe ata që e kanë drejtimin e automjetit profesion.

Një tjetër çështje që do të shqyrtohet është nëse automjetet autonome, në të cilat shoferi mund të udhëtojë si pasagjer ndërsa makina drejton vetë, mund ta zvogëlojnë ngarkesën mbi zemrën.

Ndërkohë, ekspertët këshillojnë që stresi i përditshëm në trafik të mos nënvlerësohet. Pushimet gjatë udhëtimeve të gjata dhe aktiviteti i rregullt fizik mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të zemrës.

Megjithatë, studiuesit bëjnë të qartë se hulumtimi, i cili përfshiu vetëm 57 pjesëmarrës, tregon një lidhje mes drejtimit të automjetit dhe rritjes së ritmit të zemrës, por nuk dëshmon se udhëtimi me veturë shkakton drejtpërdrejt sëmundje të zemrës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Max Amini mbërrin në Shqipëri, komediani vlerëson shqiptarët: Keni një energji të mahnitshme

Max Amini mbërrin në Shqipëri, komediani vlerëson shqiptarët: Keni një energji të mahnitshme

Haxhiu takohet me përfaqësueset e strehimoreve, diskutojnë për financimin e tyre

Haxhiu takohet me përfaqësueset e strehimoreve, diskutojnë për financimin e tyre

Man Utd aktivizon klauzolën sekrete në kontratën e Bruno Fernandes

Man Utd aktivizon klauzolën sekrete në kontratën e Bruno Fernandes