Të martën, në Kuvendin e Kosovës, pritet të mbajnë mbledhje nëntë komisione parlamentare, ku do të shqyrtohen çështje të ndryshme, përfshirë ndryshimet në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Në orën 10:00, do të mblidhet Komisioni për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, si dhe Komisioni për Shëndetësi.

Në orën 11:00, do të mbahet mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ndërsa në orën 13:00 do të mblidhen Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese, Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport, Komisioni për Arsim dhe Shkencë, si dhe Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Shumica e komisioneve do të shqyrtojnë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, ndërsa Komisioni i Posaçëm për Gjykatën Kushtetuese do të shqyrtojë publikimin e thirrjes publike për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të rinj.
Burimi: Dukagjini




