Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për 27 tetor, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës.
Sipas TCH-së, gjykata ka vendosur t’i gjobisë avokatët me nga 100 mijë lekë të reja secilin, shumë kjo që tejkalon 1.000 euro.

Në seancë nuk ishte i pranishëm asnjë nga të pandehurit dhe asnjë prej avokatëve mbrojtës.
Gjatë seancës, prokurori i SPAK-ut, Altin Dumani, kërkoi që gjykimi ndaj Veliajt të vazhdojë pa avokatët, nëse ata nuk paraqiten. Ai argumentoi se sjellja e të pandehurve dhe e mbrojtësve të tyre mund të konsiderohet si heqje dorë nga e drejta për mbrojtje.
“Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat. Gjykata e Apelit e ka një precedent të tillë, ku ka shqyrtuar çështje pa avokat”, deklaroi Dumani.
Ndërkohë, gjykata caktoi avokatë nga lista e avokatëve që ofrojnë ndihmë juridike falas.
Burimi: Dukagjini




