Dy ndeshje interesante do të zhvillohen sot në kuadër të xhiros së katërt të basketbollit kosovar, ku Golden Eagle Ylli, Peja, Rahoveci 029 dhe Sigal Prishtina do të kërkojnë fitoren.

Ndeshja e parë luhet nga ora 17:00, kur Golden Eagle Ylli e pret Pejën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Ylli synon ta vazhdojë formën pozitive pas fitores së parë të sezonit ndaj Sigal Prishtinës javën e kaluar. Në anën tjetër, Peja do të kërkojë rikthimin te fitorja pas humbjes nga Vëllaznimi.
Përballja e dytë zhvillohet nga ora 19:30, mes Rahovecit 029 dhe Sigal Prishtinës, në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Të dyja lojët në termimet e caktuara do të transmetohet në Artmotion, në kanalin Sport 2, njofton Klankosova.tv.
Vendasit ende nuk kanë arritur të fitojnë këtë sezon dhe do të përpiqen ta shfrytëzojnë përkrahjen e tifozëve për të marrë pikët e para. Ndërkohë, prishtinasit udhëtojnë drejt Rahovecit me synimin për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.




