“Radio Policia”, Kusari: Mund të bëhet mjet propagandues i pushtetit

“Radio Policia”, Kusari: Mund të bëhet mjet propagandues i pushtetit

“Radio Policia”, Kusari: Mund të bëhet mjet propagandues i pushtetit

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka ngritur shqetësime lidhur me planet për hapjen e një radioje nga Policia e Kosovës, duke paralajmëruar për rrezikun e propagandës shtetërore, ndikimit politik dhe kostos financiare për buxhetin e vendit.

Sponsor 3M Express

Përmes një reagimi publik, Kusari ka bërë të ditur se Policia e Kosovës i ka konfirmuar se është duke bërë përgatitje për hapjen e radios, ndërsa çështja mund të jetë në agjendën e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), në kuadër të një kërkese për lejimin e transmetimit eksperimental.

“Po e ngre këtë shqetësim, me shumë kujdes, meqë nuk e kam ende pasqyrën e plotë të situatës. Shpresoj që mediat do të më ndihmojnë ta monitoroj këtë çështje”, ka shkruar Kusari transmeton Klankosova.tv

Sipas saj, më 10 korrik, KPM-ja e kishte vënë në konsultim publik Rregulloren për Transmetime Eksperimentale, të cilën e kishte miratuar më 7 gusht.

Kusari pretendon se komentet e palëve të interesuara nuk janë marrë parasysh sa duhet gjatë konsultimit publik, duke ngritur dyshime për mënyrën se si është zhvilluar ky proces.

Ajo ka kritikuar edhe përmbajtjen e rregullores, duke e cilësuar atë të paqartë dhe lehtësisht të keqpërdorshme.

“Rregullorja për Transmetime Eksperimentale është njëra prej rregulloreve më të dobëta që kam parë. Ajo nuk e ka një qëllim të qartë dhe mund të keqpërdoret lehtësisht nga kushdo që siguron licencë për transmetime eksperimentale”, ka deklaruar Kusari transmeton Klankosova.tv.

Juristja e mediave ka thënë se më 9 tetor, KPM-ja publikoi agjendën e mbledhjes, ku në pikën e nëntë ishte përfshirë një kërkesë për lejimin e transmetimit eksperimental. Ajo ka bërë të ditur se disa burime e kanë informuar se kërkesa mund të jetë paraqitur nga Policia e Kosovës.

Kusari ka paralajmëruar se, nëse KPM-ja e lejon këtë transmetim, duhet të ketë sqarime të qarta për qëllimin e radios, mënyrën e menaxhimit dhe përgjegjësinë editoriale.

Sipas saj, ekziston rreziku që një medium i financuar dhe menaxhuar nga shteti të shndërrohet në mjet të propagandës politike.

“Radio Policia do të bëhet një mjet propagandues i Lëvizjes Vetëvendosje, sepse sektori i sigurisë menaxhohet nga VV-ja”, ka pretenduar Kusari.

Ajo ka ngritur gjithashtu pyetje se kush do të jetë drejtor i radios, kush do ta udhëheqë redaksinë, kush do të jetë përgjegjës për përmbajtjen dhe kush do të mbajë përgjegjësi ligjore në rastet e fyerjes apo shpifjes.

Kusari vlerëson se Kosova nuk ka nevojë për një radio të tillë, pasi komunikimi publik i Policisë mund të realizohet në bashkëpunim me Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe Radio Kosovën.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj lidhet me koston financiare. Sipas një analize që thotë se e ka bërë me ndihmën e disa njohësve të fushës, hapja e radios mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth gjysmë milioni euro.

Në reagimin e saj, Kusari i është referuar edhe parimeve të Këshillit të Evropës dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke argumentuar se hapja e mediave shtetërore ngre shqetësime serioze për pavarësinë e mediave dhe ndikimin e pushtetit mbi përmbajtjen.

Ajo ka përmendur Rezolutën 428 (1970) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Rekomandimin R(96)10 të Komitetit të Ministrave, të cilat lidhen me lirinë e shprehjes dhe garantimin e pavarësisë së transmetuesve publikë.

Në fund, Kusari u ka bërë thirrje mediave dhe gazetarëve që ta hulumtojnë çështjen dhe të kërkojnë sqarime nga KPM-ja dhe Policia e Kosovës.

Ajo ka paralajmëruar se, nëse kërkesa e Policisë është ajo që është përfshirë në agjendën e KPM-së, çështja mund të shqyrtohet në mbledhjen e paraparë për të nesërmen, në orën 10:00.

Pretendimet e Kusarit lidhur me qëllimin, ndikimin politik dhe koston e radios mbeten për t’u verifikuar përmes dokumenteve përkatëse dhe sqarimeve zyrtare nga institucionet e përfshira.

Lexo edhe

Islami: Nga Banjska te “Bota Serbe”, rreziqet për stabilitetin e Ballkanit

Islami: Nga Banjska te “Bota Serbe”, rreziqet për stabilitetin e Ballkanit

Xhemaili: Pushteti sulmon mediat ekzistuese, po hap platforma të kontrolluara nga Sveçla

Xhemaili: Pushteti sulmon mediat ekzistuese, po hap platforma të kontrolluara nga Sveçla

Mourinho shmang konferencën për shtyp pas fitores së Real Madridit, frikësohet nga pezullimi

Mourinho shmang konferencën për shtyp pas fitores së Real Madridit, frikësohet nga pezullimi

“Radio Policia”, Kusari: Mund të bëhet mjet propagandues i pushtetit | Momenti