SINJALI 24 | Pesë të arrestuar për pengmarrje, dy të plagosur nga kallashnikovi dhe gjashtë raste të dhunës në familje – çfarë ndodhi në 24 orët e fundit?

SINJALI 24 | Pesë të arrestuar për pengmarrje, dy të plagosur nga kallashnikovi dhe gjashtë raste të dhunës në familje – çfarë ndodhi në 24 orët e fundit?

SINJALI 24 | Pesë të arrestuar për pengmarrje, dy të plagosur nga kallashnikovi dhe gjashtë raste të dhunës në familje – çfarë ndodhi në 24 orët e fundit?

Një sërë incidentesh dhe ngjarjesh kriminale janë raportuar në vende të ndryshme të Kosovës gjatë 24 orëve të fundit. Nga arrestimi i personit të pestë të dyshuar për sulmin dhe mbajtjen peng të një shtetasi turk në Prizren, te plagosja e dy personave me armë zjarri në Gjakovë, rastet e dhunës në familje dhe kanosjet, Policia e Kosovës ka zhvilluar disa operacione dhe hetime.

Sponsor 3M Express

Në mesin e rasteve të raportuara janë edhe gjetja e një 15-vjeçareje që ishte larguar nga shtëpia në Deçan, zbulimi i narkotikëve në Qendrën Korrektuese të Dubravës dhe sekuestrimi i një pushke gjuetie te një 20-vjeçar në Kamenicë, pasi arma ishte ekspozuar në TikTok.

Prizren – Arrestohet edhe i dyshuari i pestë për sulmin dhe mbajtjen peng të 44-vjeçarit

Hetimet për rastin e shtetasit turk, i cili dyshohet se ishte sulmuar në mes të Prizrenit, futur me forcë në një veturë dhe mbajtur për rreth 12 orë në një shtëpi private në Prishtinë, kanë sjellë një zhvillim të ri.

Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren kanë arritur ta arrestojnë edhe personin e pestë të dyshuar, shtetasin turk Mehmet Perçem, rreth 38-vjeçar.

Me arrestimin e tij, tashmë janë kapur të pesë personat që dyshohen për ngjarjen e 1 nëntorit, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren.

Viktima, S.B., rreth 44-vjeçar, kishte deklaruar se ishte sulmuar fizikisht nga disa persona të njohur për të, të cilët më pas e kishin futur me forcë në një automjet dhe e kishin dërguar në Prishtinë. Atje, sipas dyshimeve, ishte mbajtur për rreth 12 orë dhe ishte detyruar të hiqte dorë nga punimet ndërtimore që po realizonte në një objekt banesor në Prizren.

Rasti është duke u hetuar për veprat penale “Shtrëngimi”, “Privimi i kundërligjshëm nga liria” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

Deçan – Gjendet 15-vjeçarja që ishte larguar nga shtëpia, familja kishte kërkuar ndihmën e Policisë

Një vajzë 15-vjeçare nga Deçani, e cila ishte larguar nga shtëpia pa i njoftuar familjarët, është gjetur nga Policia në orët e hershme të mëngjesit të 10 nëntorit.

E mitura me inicialet E.K. ishte larguar nga shtëpia rreth orës 21:15 të mbrëmjes së kaluar, në drejtim të panjohur. Largimin e saj e kishte denoncuar nëna, ndërsa shqetësimi i familjarëve ishte shtuar edhe për faktin se vajza nuk kishte telefon me vete.

Pas kërkimeve, rreth orës 05:15, zyrtarët policorë e kanë hasur 15-vjeçaren gjatë patrullimit në rrugën “Luan Haradinaj”.

Ajo është dërguar në Emergjencë për kontroll mjekësor, ndërsa ishte paraparë të intervistohej në praninë e njërit prej prindërve, për të sqaruar rrethanat e largimit.

Gjakovë – Të shtëna me kallashnikov në Pjetërshan, plagosen dy persona – arrestohet 57-vjeçari

Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri në fshatin Pjetërshan të Gjakovës, ndërsa Policia ka arrestuar një 57-vjeçar, i cili dyshohet se ka shtënë ndaj tyre me armë automatike.

Ngjarja ka ndodhur të martën, më 10 nëntor, rreth orës 16:30, ndërsa Policia është njoftuar pasi dy të plagosurit kishin kërkuar ndihmë në Emergjencën e qytetit.

Viktimat janë identifikuar si Pashk Lazri, rreth 72-vjeçar, dhe Hil Lazri, rreth 54-vjeçar, ndërsa i dyshuari është Sokol Lazri, rreth 57-vjeçar.

Gjatë ndërhyrjes, Policia ka sekuestruar një armë automatike AK-47, që dyshohet se është përdorur në incident. Po ashtu, bashkëshortja e të dyshuarit, në cilësinë e dëshmitares, ua ka dorëzuar zyrtarëve policorë edhe një pushkë gjuetie me 10 fishekë të kalibrit 12 GA.

Të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor dhe, sipas informacioneve të siguruara, ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

Me urdhër të Prokurorisë, rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Istog – I gjendet marihuanë në Qendrën Korrektuese të Dubravës, hetohet 19-vjeçari

Një kontroll rutinor në Qendrën Korrektuese të Dubravës ka përfunduar me zbulimin e një sasie të substancës së dyshuar narkotike te një i burgosur 19-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur më 5 nëntor, rreth orës 15:30, në Pavijonin 3 të këtij institucioni korrektues, ku zyrtarët kanë gjetur te i dyshuari Almir Qosa një sasi marihuane.

Pas peshimit, substanca ka rezultuar me peshë bruto prej 0.2 gramësh.

Rasti i është referuar Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, ndërsa Prokuroria ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Kamenicë – E ekspozoi pushkën në TikTok, Policia ia kontrollon shtëpinë 20-vjeçarit dhe ia sekuestron armën

Një pushkë gjuetie e ekspozuar në rrjetin social TikTok ka çuar Policinë në shtëpinë e një 20-vjeçari në fshatin Koretin të Kamenicës.

Njësia hetimore e Policisë ka realizuar kontroll në shtëpinë e Erdi Makës më 10 nëntor, në bazë të urdhrit të autorizuar nga Prokuroria.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, një karikator dhe 18 fishekë të kalibrit 12 GA.

Nga verifikimet ka rezultuar se arma ishte raportuar në Zyrën e Regjistrimit të Armëve dhe kishte dokumentacionin përkatës, por leja ende nuk ishte lëshuar nga autoriteti kompetent.

20-vjeçari është intervistuar nga hetuesit, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Pas përfundimit të procedurave policore, ai është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Disa qytete – Gjashtë raste të dhunës në familje, kanosjes dhe ngacmimit brenda një dite

Gjashtë raste që lidhen me dhunën në familje, kanosjen dhe ngacmimin janë raportuar në disa qytete të Kosovës gjatë 10 nëntorit.

Në mesin e rasteve të evidentuara ka pasur pretendime për dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshorteve, familjarëve dhe një të miture.

Për disa prej rasteve Policia ka ndërmarrë veprime konkrete, duke arrestuar persona të dyshuar dhe duke i dërguar në mbajtje, ndërsa procedurat e tjera po trajtohen nga organet kompetente.

Rastet janë duke u hetuar në koordinim me Prokurorinë, ndërsa rrethanat e secilit incident po trajtohen veçmas.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Pesë shtetas turq arrestohen në Prizren, dyshohet se sulmuan me thikë një person dhe e mbajtën 12 orë në një objekt

Pesë shtetas turq arrestohen në Prizren, dyshohet se sulmuan me thikë një person dhe e mbajtën 12 orë në një objekt

Ismaili e kreu i BERZH-it për Evropën Juglindore diskutojnë reformat financiare

Ismaili e kreu i BERZH-it për Evropën Juglindore diskutojnë reformat financiare

Vendimi | Gjyqi ndaj Jeton Sylajt i mbyllur, “me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare”

Vendimi | Gjyqi ndaj Jeton Sylajt i mbyllur, “me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare”