Sindikalistët: Mbi 50 punëtorë të sigurimit në QMF-të e Prishtinës u larguan nga puna

Sindikalistët: Mbi 50 punëtorë të sigurimit në QMF-të e Prishtinës u larguan nga puna
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka ngritur shqetësimin për largimin nga puna të mbi 50 punëtorëve të sigurimit në Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) në Prishtinë. Në një njoftim të publikuar të hënën, sindikata ka bërë të ditur se punëtorët janë paraqitur në zyrat e saj, pasi, sipas tyre, […]

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka ngritur shqetësimin për largimin nga puna të mbi 50 punëtorëve të sigurimit në Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) në Prishtinë.

Në një njoftim të publikuar të hënën, sindikata ka bërë të ditur se punëtorët janë paraqitur në zyrat e saj, pasi, sipas tyre, janë larguar nga vendet e punës pa paralajmërim.

Sipas sindikatës, punëtorëve u është thënë nga Komuna e Prishtinës se arsyeja e largimit është mungesa e buxhetit.

“Në ndërkohë, ndaj kompanisë së sigurimit nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe kompania nuk është paraqitur si arsye për largimin e këtyre punëtorëve nga vendet e tyre të punës”, thuhet në njoftimin e FSPTSPK-së.

Sindikalistët kanë bërë të ditur se punëtorët janë informuar nga personat përgjegjës në Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave se rasti i tyre do të trajtohet me prioritet, me qëllim të kthimit në vendet e punës.

Megjithatë, sipas sindikatës, deri më tani nuk është dhënë një datë e sigurt për rikthimin e tyre në punë.

“Bëhet fjalë për rreth mbi 50 punëtorë, të cilët kanë mbetur pa të ardhura dhe pa një afat të qartë lidhur me kthimin e tyre në vendet e punës”, thuhet në njoftim.

FSPTSPK i ka kërkuar Komunës së Prishtinës që çështja të trajtohet me urgjencë dhe të jepet një përgjigje konkrete për situatën e punëtorëve, si dhe për afatin e mundshëm të rikthimit të tyre në vendet e punës.

Kryetari i FSPTSPK-së, Jusuf Azemi, ka thënë se sindikata nuk do të qëndrojë indiferente ndaj situatës.

“Do të kërkojmë që për këta punëtorë të gjendet një zgjidhje konkrete dhe sa më e shpejtë”, ka thënë Azemi, sipas njoftimit.

Sindikalistët kanë paralajmëruar se, nëse nuk ndërmerren hapa konkretë për zgjidhjen e çështjes, do të ndërmarrin veprime sindikale dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të punëtorëve, përfshirë protesta dhe greva para Komunës së Prishtinës.

“Punëtorët nuk mund të mbahen në pasiguri dhe pa të ardhura pa një përgjigje dhe zgjidhje konkrete nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në fund të njoftimit të FSPTSPK-së. /Telegrafi/

Lexo edhe

IPKO Cyber Security Conference IV – Konferenca për sigurinë kibernetike

IPKO Cyber Security Conference IV – Konferenca për sigurinë kibernetike

Raporti i CIA-s: Izraeli drejt luftës civile dhe kolapsit të brendshëm

Raporti i CIA-s: Izraeli drejt luftës civile dhe kolapsit të brendshëm

Sheringham zgjedh sulmuesin më të mirë në Ligën Premier, nuk është Haaland

Sheringham zgjedh sulmuesin më të mirë në Ligën Premier, nuk është Haaland