Çfarë është “Agjenda 1 miliard” deri më 2030? Shpend Ahmeti shpjegon planin dhe potencialin e prodhimit vendor në Kosovë

Çfarë është “Agjenda 1 miliard” deri më 2030? Shpend Ahmeti shpjegon planin dhe potencialin e prodhimit vendor në Kosovë
Ekonomia e Kosovës ka potencial për zhvillim më të madh sesa rritja që shënon aktualisht, por shfrytëzimi i tij kërkon bashkëpunim mes bizneseve dhe institucioneve, fuqizim të prodhimit vendor dhe përfshirje më të madhe të grave në tregun e punës. Kështu ka vlerësuar Shpend Ahmeti, bashkëthemelues i Data4X dhe konsulent i menaxhimit, gjatë bisedës në […]

Ekonomia e Kosovës ka potencial për zhvillim më të madh sesa rritja që shënon aktualisht, por shfrytëzimi i tij kërkon bashkëpunim mes bizneseve dhe institucioneve, fuqizim të prodhimit vendor dhe përfshirje më të madhe të grave në tregun e punës.

Kështu ka vlerësuar Shpend Ahmeti, bashkëthemelues i Data4X dhe konsulent i menaxhimit, gjatë bisedës në “Përballje Podcast” në Telegrafi, ku ka folur për gjendjen e ekonomisë së Kosovës përmes të dhënave, sfidat e kompanive dhe mundësitë për zhvillim.

– YouTube www.youtube.com

Sipas tij, vlerësimi i ekonomisë duhet të mbështetet në disa tregues dhe në krahasime rajonale, ndërsa rezultatet aktuale nuk duhet të krijojnë vetëkënaqësi.

“Rritja ekonomike që e kemi për momentin nuk e paraqet saktë potencialin që e ka Kosova. Kosova ka potencial shumë më të madh për të pasur rritje ekonomike shumë më të madhe”, ka deklaruar Ahmeti, shkruan Telegrafi.

Ai ka theksuar se, duke pasur parasysh madhësinë e ekonomisë së vendit dhe nevojat për zhvillim, rritja prej tre apo katër për qind nuk duhet të konsiderohet e mjaftueshme.

“Agjenda 1 miliard” për prodhimin vendor

Një nga projektet kryesore që Ahmeti ka prezantuar është “Agjenda 1 miliard”, përmes së cilës Data4X synon të kontribuojë në zëvendësimin e një pjese të importeve me prodhim vendor.

“Agjenda 1 miliard është se si mundemi t’i zëvendësojmë nga importet një miliard euro deri në vitin 2030”, ka shpjeguar ai.

Sipas Ahmetit, projekti është ndërtuar mbi një studim më shumë se njëvjeçar të rreth nëntë mijë produkteve të tregtisë së mallrave. Nga kjo analizë, ka thënë ai, janë identifikuar rreth 3,8 miliardë euro importe potencialisht të zëvendësueshme.

Ai ka sqaruar se synimi mbështetet te produkte për të cilat Kosova tashmë ka kapacitete prodhuese dhe njohuri për përpunimin e tyre. Për zgjerimin e prodhimit, megjithatë, nevojiten kushte më të favorshme për investime, qasje më e mirë në financim dhe zgjidhje për nevojat e fuqisë punëtore.

Bizneset dhe institucionet duhet t’i bashkërendojnë veprimet

Ahmeti ka theksuar se realizimi i këtij objektivi kërkon angazhim të përbashkët të sektorit privat dhe institucioneve.

“Na duhet t’i kemi në tavolinë edhe institucionet, sepse nuk është një agjendë që mund të shtyhet vetëm prej sektorit privat”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Në këtë drejtim, Data4X po organizon takime në kuadër të nismës “Data4Breakfast”, duke përfshirë 16 sektorë në 12 sesione. Qëllimi, sipas tij, është identifikimi i pengesave dhe ndërtimi i një plani me hapa konkretë për realizimin e agjendës.

“Një miliard euro është objektivi, është qëllimi për vitin 2030, ndërsa rrugën jemi duke e ndërtuar tash së bashku me bizneset dhe institucionet”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka veçuar edhe rolin e rrjeteve të tregtisë me pakicë në promovimin dhe shitjen e produkteve vendore. Sipas tij, zgjerimi i rrjeteve kosovare në tregjet rajonale po krijon mundësi që edhe prodhuesit vendorë të arrijnë te konsumatorët jashtë Kosovës.

Shpend Ahmeti nga Data4X me Muhamet Hajrullahu, kryredaktor i Telegrafit.Foto: Ridvan Slivova

Pjesëmarrja e grave në punësim, potencial i pashfrytëzuar

Duke folur për tregun e punës, Ahmeti ka thënë se tregtia, ndërtimtaria dhe prodhimi përballen me vështirësi në sigurimin e punëtorëve, ndërsa kompanitë kanë nevojë edhe për fuqi punëtore të specializuar.

Ai ka veçuar pjesëmarrjen e ulët të grave si një nga sfidat kryesore të identifikuara nga analizat e Data4X.

Sipas tij, kujdesi për fëmijët dhe për të moshuarit janë dy nga arsyet kryesore që i mbajnë gratë jashtë tregut të punës. Zgjerimi i kopshteve në zonat rurale dhe urbane, si dhe organizimi i mësimit gjithëditor, do të ndihmonin në adresimin e kësaj pengese.

“Nëse ndërtohen shumë më shumë kopshte anembanë Kosovës, si në vendet rurale edhe në vendet urbane, kjo do ta zbuste këtë sfidë”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka vlerësuar se përfshirja më e madhe e grave në punësim do të ndikonte drejtpërdrejt në të ardhurat e familjeve dhe në aktivitetin ekonomik të vendit.

Sipas tij, përdorimi efektiv i këtyre mjeteve kërkon njohje të proceseve të biznesit, qëllim të qartë dhe kujdes ndaj të dhënave me të cilat ushqehen modelet.

Diaspora të investojë edhe në biznese që krijojnë punësim

Në përmbyllje, Ahmeti ka kërkuar që një pjesë më e madhe e mjeteve nga diaspora të orientohet drejt hapjes ose financimit të bizneseve.

Ai ka vlerësuar rëndësinë e remitencave për familjet, por ka theksuar nevojën për rishikimin e mënyrës se si kanalizohen këto mjete. Gjithashtu, sipas tij, investimet e huaja duhet të orientohen më shumë drejt sektorëve që gjenerojnë punësim.

Ahmeti ka thënë se përmirësimi i prodhimit, eksporti i shërbimeve, përfshirja e grave në tregun e punës dhe përshpejtimi i investimeve kapitale mund të krijojnë perspektivë më të mirë ekonomike.

“E ardhmja mund të jetë shumë më e mirë nëse ne i marrim vendimet sot”, ka theksuar ai.

Gjatë bisedës, ai ka vlerësuar gjithashtu se paqëndrueshmëria politike dhe ciklet e shpeshta zgjedhore kanë ndikuar në stagnimin e aktivitetit ekonomik, duke kërkuar angazhim më të madh për zhvillimin dhe mirëqenien. /Telegrafi/

Lexo edhe

“Nga dhjetë gra në pushim të lehonisë, vetëm dy janë të punësuara” – Berisha ngre shqetësimin për punësimin e grave  në Kosovë

“Nga dhjetë gra në pushim të lehonisë, vetëm dy janë të punësuara” – Berisha ngre shqetësimin për punësimin e grave  në Kosovë

Bullgaria dënon sulmin me dronë ndaj dy anijeve në Detin e Zi, vazhdon kërkimi për ekuipazhin e zhdukur

Bullgaria dënon sulmin me dronë ndaj dy anijeve në Detin e Zi, vazhdon kërkimi për ekuipazhin e zhdukur

Ronaldo merr vendimin e papritur për Portugalinë pas përplasjes me Jorge Jesusin

Ronaldo merr vendimin e papritur për Portugalinë pas përplasjes me Jorge Jesusin