Niamh O’Brien, bashkëshortja e Michael Flatley, yllit të “Riverdance” dhe krijuesit të spektaklit të famshëm “Lord of the Dance”, ka ndërruar jetë në moshën 51-vjeçare.
Flatley, 68 vjeç, e ndau lajmin e trishtë në rrjetet sociale, ku i dha lamtumirën bashkëshortes përmes një mesazhi emocionues, të shoqëruar me një fotografi të tyre së bashku.
Ai e përshkroi Niamh si “dashurinë e jetës së tij”.
Çifti njiheshin prej vitesh para se lidhja e tyre të kthehej në një histori dashurie.
Niamh ishte balerinë në shfaqjet e Flatley-t dhe ishte pikërisht ai që e zgjodhi për rolin kryesor në spektaklin e njohur “Lord of the Dance”.
Ata u martuan në vitin 2006 në kishën e Shën Patrikut në Fermoy, në Cork të Irlandës.
Një vit më vonë u bënë prindër të djalit të tyre, Michael St. James, i cili tashmë është 19 vjeç.
Edhe pse Flatley ka folur rrallë për jetën e tij private, në intervista ai ka treguar vazhdimisht se sa të rëndësishëm ishin bashkëshortja dhe djali i tij.
Vitet e fundit, familja kishte kaluar edhe periudha të vështira për shkak të betejës së Flatley-t me kancerin.
Në fillim të vitit 2023, bëri të ditur se ishte diagnostikuar me një formë agresive të sëmundjes.
Ai iu nënshtrua një operacioni dhe më pas vazhdoi trajtimin dhe kontrollet e rregullta mjekësore.
Michael fitoi famë botërore si një nga figurat kryesore të “Riverdance”, i cili u bë i njohur ndërkombëtarisht pas performancës në Eurovision në vitin 1994. /Telegrafi/




