Personat e dyshuar për vrasjen e policit belg Nordine El Talbi dyshohet se janë të përfshirë edhe në vrasjen e shqiptarit Redjan Z., i cili u qëllua për vdekje më 12 tetor, në afërsi të Parlamentit Evropian në Bruksel.

Sipas gazetës belge “De Standaard”, hetimet dhe analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë kanë çuar në identifikimin e personave të dyshuar, të cilët janë arrestuar në Spanjë dhe Francë.
Redjan Z. u vra në orët e vona të pasdites së 12 tetorit, në rrugën Wiertz, në komunën Ixelles të Brukselit. Ai u qëllua me shtatë deri në tetë plumba, ndërsa autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Vetëm disa orë më vonë, në komunën Jette, u vra edhe polici 41-vjeçar Nordine El Talbi, i cili ishte në krye të detyrës dhe po mbikëqyrte një automjet të parkuar në bulevardin Carton de Wiart.
Automjeti në fjalë ishte vjedhur më herët gjatë mbrëmjes, gjatë një grabitjeje me dhunë të një veture në Tubize.
Megjithatë, Prokuroria e Brukselit nuk ka pranuar as t’i konfirmojë dhe as t’i mohojë raportimet për arrestimin e të dyshuarve dhe lidhjen e mundshme mes dy vrasjeve, duke argumentuar se nuk dëshiron të rrezikojë interesat e hetimeve.
Ndërkohë, avokatja Ofelia Avagian, e cila përfaqëson familjen e shqiptarit të vrarë, ka shprehur pakënaqësi për faktin se familja ka mësuar për zhvillimet e fundit nga mediat dhe jo nga autoritetet.
“Familja e viktimës e mëson këtë lajm nga mediat dhe jo përmes një njoftimi zyrtar. Mund ta imagjinoni se sa e dhimbshme dhe tronditëse është kjo për ta. Në këtë çështje ka pasur shumë pak konsideratë ndaj viktimave”, ka deklaruar ajo.
Avagian ka theksuar se mungesa e një konfirmimi zyrtar po e shton pasigurinë e familjes, e cila ende nuk e di se cilat informacione janë të sakta. Ajo ka rikujtuar se në komunikimet e para zyrtare ishte thënë se dy vrasjet nuk kishin lidhje mes vete.
Megjithatë, familja është e kënaqur që hetimet po përparojnë dhe se të dyshuarit janë arrestuar.
“Ngjarjet janë veçanërisht të frikshme, nëse hetimi konfirmon përfshirjen e tyre”, ka deklaruar avokatja.
Pista kryesore e hetimit për vrasjen e Redjan Z. mbetet ajo e një larjeje hesapesh në botën e trafikut të drogës. Sipas burimeve të cituara nga “De Standaard”, para vrasjes, shqiptari kishte udhëtuar shpesh mes Belgjikës dhe Shqipërisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





