Një shtetas shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në Itali, pasi është zënë poshtë nga një portë e rëndë rrëshqitëse gjatë kohës që po punonte në një banesë private në qytetin e Casaranos, në provincën e Lecces.

Viktima është Bashkim Rushani, 61-vjeçar, me origjinë nga Durrësi, i cili jetonte prej kohësh në Casarano dhe ishte pronar i një kompanie që operonte në sektorin e ndërtimit.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, aksidenti ndodhi paraditen e së mërkurës, në zonën Contrada Spagnolo, gjatë punimeve në një pronë private.
Gjatë ndërhyrjeve në objekt, porta rrëshqitëse është rrëzuar dhe e ka zënë poshtë 61-vjeçarin, transmeton Telegrafi.
Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, shqiptari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë karabinierët dhe inspektorët e Shërbimit për Parandalimin dhe Sigurinë në Vendin e Punës (Spesal), të cilët po hetojnë rrethanat e aksidentit.
Bashkim Rushani ishte pronar i kompanisë individuale “Bashkim”, e cila merrej me punime ndërtimore./Telegrafi/




