Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

Në fjalën e saj, Shiroka Pula ka vlerësuar rëndësinë historike të kësaj date për shqiptarët, duke theksuar se flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare është simbol i shtetit shqiptar dhe i gjithë kombit shqiptar, kudo që jeton.
Ajo ka rikujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, duke veçuar kontributin e patriotëve nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin.
Presidentja ka theksuar se flamuri kuq e zi u bë gjithashtu simbol i qëndresës dhe luftës çlirimtare të Kosovës, ndërsa 28 Nëntori përfaqëson katër ngjarje me rëndësi të veçantë historike për shqiptarët: Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke folur për sakrificën e familjes Jashari dhe luftën e UÇK-së, Shiroka Pula ka thënë se ajo ishte luftë për liri dhe për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë në vendin e vet.
Në këtë kontekst, duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, presidentja ka deklaruar se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën është ndërtuar ajo.
Në fjalimin e saj, Shiroka Pula ka përgëzuar Shqipërinë për përparimin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke shprehur shpresën që flamuri kuq e zi së shpejti të valëvitet edhe në Bruksel.
Ajo ka bërë thirrje që flamuri të nderohet përmes punës, dijes dhe përkushtimit, si dhe të ruhen gjuha, identiteti dhe kujtesa historike.
Sipas saj, flamuri që valëvitet sot përfaqëson amanetin e brezave që luftuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën për lirinë.
Në fund, presidentja ka theksuar nevojën për forcimin e marrëdhënieve dhe integrimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”, ka thënë Shiroka Pula.





