Kenan Gashi nga AVONET ka ngritur shqetësimin për informacionet se Qeveria e Kosovës po shqyrton mundësinë e ndryshimit të Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me qëllim që komandantit aktual t’i mundësohet edhe një mandat i dytë.

Në një reagim në ‘Facebook’, Gashi ka rikujtuar se neni 21, paragrafi 7, i Ligjit Nr. 06/L-123 përcakton se komandanti i FSK-së emërohet me mandat pesëvjeçar, pa të drejtë riemërimi.
Ai ka kërkuar që, nëse ekziston një nismë e tillë, ajo të mbështetet në një analizë të mirëfilltë ligjore dhe institucionale, duke marrë parasysh edhe praktikat e vendeve evropiane dhe shteteve anëtare të NATO-s.
“Institucionet e sigurisë nuk duhet të ndërtohen rreth individëve, por rreth ligjit dhe institucioneve”, ka shkruar ai. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi





