Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka zhvilluar një aksion inspektimi në Komunën e Zubin Potokut, ku janë evidentuar shkelje ligjore nga disa subjekte ekonomike.

Si rezultat i kontrolleve, një biznes është mbyllur, janë konfiskuar produkte pa dokumentacion të prejardhjes, ndërsa një subjekt tjetër është gjobitur me 6 mijë euro për shërbimin e pijeve alkoolike personave të mitur.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë inspektimeve është konstatuar se një subjekt ekonomik ushtronte veprimtarinë pa qenë i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), për çka është marrë vendim për mbylljen e tij.
Po ashtu, inspektorët kanë konfiskuar mallra që nuk kishin deklaracion të prejardhjes.
Ndërkohë, ndaj një biznesi tjetër është shqiptuar gjobë në vlerë prej 6 mijë eurosh, pasi është konstatuar se u kishte shërbyer pije alkoolike personave nën moshën madhore.
Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është bërë e ditur se këto masa janë ndërmarrë në kuadër të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të respektimit të ligjit në treg.
Inspektorati u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të regjistrojnë veprimtarinë e tyre, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacion të rregullt dhe të respektojnë dispozitat ligjore.
IQMT ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që cenojnë të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Shërbenin alkool për të miturit – Inspektorati gjobit me 6 mijë euro një biznes në Zubin Potok, një tjetër mbyllet appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




