Kampionia në fuqi Drita, ka arritur të marrë tri pikë në një udhëtim të vështirë, duke e mposhtur Ballkanin me rezultat 1-0 në Suharekë, në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të Superligës së Kosovës.

Kur dukej se takimi do të përfundonte pa gola, Besnik Krasniqi shënoi në minutën e 91-të, duke i siguruar skuadrës nga Gjilani një fitore të rëndësishme në garën për kreun e tabelës.
Skuadra nga Gjilani u tregua më kërkuese gjatë ndeshjes, duke pasur 52 për qind të posedimit të topit dhe duke krijuar më shumë raste shënimi sesa skuadra vendase.
Futbollistët e këtij ekipi regjistruan 11 goditje drejt portës, pesë prej të cilave në kuadratin e saj. Në anën tjetër, Ballkani pati katër goditje gjithsej, dy prej tyre në kuadratin e portës.
Me këtë fitore, Drita ngjitet në kuotën e 14 pikëve dhe renditet në vendin e tretë, ndërsa Ballkani mbetet me 13 pikë në pozitën e pestë.




