Kreu i shërbimit britanik të inteligjencës së brendshme MI5 ka deklaruar se institucioni po ndan më shumë burime për t’iu kundërvënë kërcënimeve shtetërore sesa gjatë Luftës së Ftohtë.
Sir Ken McCallum tha se kërcënimet nga kundërshtarët e huaj janë katërfishuar gjatë dekadës së fundit, duke e cilësuar Rusinë si “agresorin numër një”. Ai gjithashtu paralajmëroi për rritjen e agresionit të lidhur me Iranin, që ka shënjestruar objekte hebraike dhe baza ushtarake.

Në fjalimin e tij vjetor në Londër, shefi i MI5-ës tha se Rusia po zhvillon luftë hibride, në një kohë kur inteligjenca artificiale (AI) po e intensifikon garën e sigurisë kibernetike mes sulmuesve dhe mbrojtësve.
Ai paralajmëroi gjithashtu për rritjen e kërcënimeve nga terrorizmi i ekstremit të djathtë dhe tha se MI5 ka zbuluar terroristë që synonin ta shfrytëzonin inteligjencën artificiale, përfshirë integrimin e saj me dronë.
Sipas tij, rreziku më i madh nga keqpërdorimi i AI-së është mundësia që grupet ekstremiste ta përdorin këtë teknologji për të shfrytëzuar armë biologjike të reja dhe ekzistuese.
Megjithatë, ai vuri në dukje se puna kundër terrorizmit dhe kërcënimeve shtetërore tashmë ka pothuajse të njëjtën përmasë, duke e cilësuar këtë si një ndryshim të madh të viteve të fundit.
McCallum tha se Rusia ka shmangur deri më tani konfliktin e drejtpërdrejtë ushtarak me NATO-n dhe po përpiqet të destabilizojë vendet evropiane, ndërsa përparimi i saj në pushtimin e gjithanshëm të Ukrainës mbetet “minimal dhe me kosto të tmerrshme”.
Lufta hibride ose sulmet hibride janë terma që përshkruajnë metoda jo-ushtarake, si sulmet kibernetike, sabotazhi dhe dezinformimi, të përdorura për të ushtruar presion dhe për të destabilizuar kundërshtarin.
Këto metoda shpesh zbatohen përmes personave ose grupeve ndërmjetëse, ndërsa Rusia vazhdon të mohojë përfshirjen në sulme të tilla, pavarësisht provave në rritje për të kundërtën.
Shefi i MI5-ës tha se sukseset e shërbimit në identifikimin dhe dëbimin e spiunëve rusë nga Britania e kanë detyruar Kremlinin të mbështetet te persona të paguar për të kryer sulme.
“Me rrjetin e tij tradicional të fshehtë, të shkatërruar nga afro 1.000 dëbime që nga pushtimi, Kremlini ka një arsenal global të dobësuar”, tha ai.
“Prandaj, i shohim duke u përpjekur t’u paguajnë kriminelëve që të kryejnë porositë e tyre”, shtoi McCallum, duke theksuar se këto nuk janë veprime të një fuqie të madhe që ka epërsi strategjike.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur gjithnjë e më shumë udhëheqës evropianë kanë paralajmëruar se Rusia mund të jetë duke përgatitur sulme për të testuar vendosmërinë e tyre në mbështetjen e Ukrainës.
I pyetur pas fjalimit për komentet e fundit të kryeministrit Andy Burnham, sipas të cilit Rusia ndërhyri në referendumin për Brexit-in, McCallum tha se përpjekjet e Moskës nuk janë lajm i ri. Megjithatë, ai bëri dallimin mes përpjekjes për ndërhyrje dhe arritjes së një rezultati konkret.
Ai tha se është e dokumentuar publikisht se mediat ruse, si dhe të ashtuquajturit “trollë të internetit” dhe rrjetet e llogarive të automatizuara, janë përpjekur të ndikojnë në debatin për Brexit-in. Megjithatë, ai theksoi se rezultati i referendumit të vitit 2016 nuk vihet në dyshim.
McCallum shprehu shqetësim për debatin e vazhdueshëm rreth ndërhyrjes ruse, duke paralajmëruar se ekziston rreziku që, duke i paraqitur këto rrjete si tepër të fuqishme, t’u shërbehet interesave të kundërshtarëve.
Ndërkohë, McCallum paralajmëroi se Irani po zgjeron gjithashtu fushatën e tij hibride në Britani.
Shefi i inteligjencës tha se gjatë vitit të fundit janë arrestuar 50 persona lidhur me aktivitete të ndërlidhura me Iranin.
Sipas tij, pjesa më e madhe e këtij agresioni iranian është drejtuar kundër komuniteteve hebraike, por edhe ndaj objektivave më të mbrojtura, si bazat ushtarake.
McCallum nuk përmendi drejtpërdrejt gjatë fjalimit arrestimet e lidhura me bazën ajrore RAF Fairford, por më pas u tha gazetarëve se ky incident nuk është i veçantë.
“Ne kemi vërejtur interesim iranian edhe përtej RAF Fairford, në Britani”, tha ai.
Në incidentin pranë bazës ajrore në Gloucestershire, ku u panë tri furgonë të dyshimtë të parkuar në afërsi, shtatë persona janë arrestuar dhe më pas janë liruar me kusht nga policia kundër terrorizmit.
Burnham ka deklaruar se incidenti ishte “pothuajse me siguri i drejtuar nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit”.
Në fjalimin e tij, shefi i MI5-ës tha se ata që synojnë të shkaktojnë kaos në rrugët britanike, qofshin persona të rekrutuar brenda vendit apo financuesit e tyre jashtë tij, do të përballen me një përgjigje të vendosur.
Ai shtoi se Ligji për Sigurinë Kombëtare i vitit 2023, i cili synon të godasë personat që veprojnë kundër interesave britanike në emër të fuqive të huaja, po përdoret gjerësisht për të përballuar kërcënimet nga Kina, Irani dhe Rusia.
Kërcënimi nga inteligjenca artificiale
Duke folur për kërcënimet e reja nga inteligjenca artificiale, McCallum tha se kjo teknologji mund të prodhojë propagandë dhe materiale radikalizuese të përshtatura për individë të veçantë.
“Ne kemi zbuluar terroristë që synonin ta shfrytëzonin inteligjencën artificiale për të përmirësuar zbulimin e objektivave dhe metodat e sulmit, ndërsa dronët e pajisur me AI sjellin një dimension të ri”, tha ai.
McCallum theksoi se kërcënimi nga përdorimi i inteligjencës artificiale për armë biologjike ende nuk është realizuar, por paralajmëroi se kjo teknologji ka potencialin për ta ndryshuar ndjeshëm nivelin e rrezikut.
“Këto rreziqe janë reale. Komuniteti britanik i inteligjencës, përfshirë MI5, GCHQ dhe MI6, po punon ngushtë me Institutin britanik të Sigurisë së Inteligjencës Artificiale, të vlerësuar ndërkombëtarisht, për t’u përballur me to”, përfundoi ai, raporton BBC.
Burimi: RTKLive




