Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në edicionin e dytë të “Western Balkans Circular Economy Expo 2026”, me ftesë të drejtoreshës së CDF-së, Nermin Mahmuti, dhe Urim Xharavinës nga Rilindja e Gjelbër.
Në këtë ngjarje, sipas saj, morën pjesë edhe ministrja Fitore Pacolli, ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Åsa Pehrson, si dhe përfaqësues të institucioneve, bizneseve, akademisë dhe organizatave zhvillimore nga Kosova dhe rajoni.

Kusari-Lila ka theksuar se gjatë kësaj ngjarjeje janë shkëmbyer ide dhe perspektiva mbi rolin e ekonomisë qarkore në transformimin industrial, tranzicionin e gjelbër dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset.
“MINTI, përmes Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, po punon për një industri më moderne, me kapacitete më të mëdha prodhuese dhe produkte me vlerë më të lartë të shtuar. Në këtë drejtim, parqet industriale dhe zhvillimi i eko-parqeve krijojnë kushte për investime, bashkëpunim ndërmjet bizneseve dhe shfrytëzim më efikas të burimeve”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka theksuar se synimi është krijimi i një industrie që gjeneron më shumë vlerë brenda vendit dhe fuqizon praninë e bizneseve kosovare në tregjet evropiane.
“Vizioni ynë është një industri që krijon më shumë vlerë brenda vendit, forcon praninë e bizneseve të Kosovës në tregjet evropiane dhe e lidh rritjen ekonomike me mbrojtjen e mjedisit. Përmes parqeve industriale dhe ekonomisë qarkore, synojmë të hapim më shumë mundësi për investime e inovacion, duke ndërtuar një ekonomi më konkurruese dhe një të ardhme më të qëndrueshme për Kosovën”, ka theksuar Kusari-Lila.
Burimi: RTKLive




