Separatistët fitojnë zgjedhjet në Quebec, rikthehet në agjendë referendumi për pavarësi

Separatistët fitojnë zgjedhjet në Quebec, rikthehet në agjendë referendumi për pavarësi
Partia separatiste Parti Québécois (PQ) ka fituar zgjedhjet provinciale në Quebec, duke u rikthyer në pushtet pas më shumë se një dekade dhe duke premtuar një referendum të ri për pavarësinë nga Kanadaja. Megjithatë, PQ nuk ka arritur shumicën në Asamblenë Kombëtare të Quebecut. Sipas rezultateve të raportuara pas numërimit, partia e udhëhequr nga Paul […]

Partia separatiste Parti Québécois (PQ) ka fituar zgjedhjet provinciale në Quebec, duke u rikthyer në pushtet pas më shumë se një dekade dhe duke premtuar një referendum të ri për pavarësinë nga Kanadaja.

Megjithatë, PQ nuk ka arritur shumicën në Asamblenë Kombëtare të Quebecut. Sipas rezultateve të raportuara pas numërimit, partia e udhëhequr nga Paul St-Pierre Plamondon siguroi 59 nga 127 ulëset, ndërsa për shumicën nevojiten 64.

Kjo do të thotë se qeveria e re do të jetë në pakicë dhe do të duhet të kërkojë mbështetjen e partive opozitare për miratimin e ligjeve dhe votat e besimit.

St-Pierre Plamondon e pranoi se votuesit nuk i dhanë partisë shumicën që kërkonte, duke thënë se mesazhi i tyre ishte i qartë: PQ duhet të bashkëpunojë me partitë e tjera.

Megjithatë, ai ka përsëritur zotimin për të mbajtur një referendum për sovranitetin e Quebecut. Lideri separatist ka deklaruar se një referendum i tillë nuk do të mbahet për sa kohë Donald Trump është president i SHBA-së.

Në fjalimin e fitores, St-Pierre Plamondon e paraqiti pavarësinë si çështje të ruajtjes së identitetit frankofon të provincës, transmeton Telegrafi.

“Quebec thjesht dëshiron të ekzistojë më vete, si vendet e tjera të botës”, tha ai, duke shtuar se qytetarët duhet të kenë mundësinë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.

Ai u përpoq gjithashtu të qetësonte kanadezët jashtë Quebecut, duke theksuar se projekti për pavarësi nuk synon përjashtimin e tyre dhe se provinca do të mbetet gjeografikisht aty ku është, duke krijuar interesa të përbashkëta për bashkëpunim.

Fitorja e PQ-së, megjithatë, nuk nënkupton se shumica e banorëve të Quebecut mbështesin shkëputjen nga Kanadaja. Sipas politologut Daniel Béland nga Universiteti McGill, zgjedhjet u përcaktuan më shumë nga pakënaqësia ndaj Coalition Avenir Québec (CAQ), e cila ishte në pushtet që nga viti 2018, sesa nga mbështetja për pavarësinë.

Mbështetja për pavarësinë vlerësohet aktualisht në rreth 30 për qind, një nivel relativisht i ulët krahasuar me periudhat e mëparshme. Quebecu ka zhvilluar dy referendume për sovranitetin, në vitet 1980 dhe 1995, dhe në të dyja rastet votuesit zgjodhën të mbeten pjesë e Kanadasë. Referendumi i vitit 1995 u humb nga separatistët me një diferencë shumë të ngushtë.

Rezultati përbën një goditje të rëndë për CAQ-në. Partia që para zgjedhjeve kontrollonte 79 ulëse humbi pushtetin, ndërsa liderja e saj, Christine Fréchette, pranoi humbjen dhe tha se merr përgjegjësinë për rezultatin.

Në nivel federal, kryeministri kanadez Mark Carney uroi St-Pierre Plamondonin dhe sinjalizoi gatishmërinë e Otavës për të bashkëpunuar me qeverinë e re provinciale.

Carney tha se forcimi i Quebecut është pjesë e përpjekjes për të ndërtuar një Kanada më të fortë. Ai premtoi bashkëpunim për mbështetjen e bizneseve dhe punëtorëve të prekur nga tarifat amerikane, krijimin e vendeve të punës dhe ndërtimin e banesave.

Fitorja e separatistëve vjen në një moment të ndjeshëm për unitetin e Kanadasë. Më 19 tetor, banorët e Albertës pritet të votojnë në një referendum jo-detyrues nëse provinca duhet të ecë përpara me një proces për shkëputje nga Kanadaja.

Quebecu, ku rreth 80 për qind e popullsisë është frankofone, gëzon tashmë kompetenca të gjera autonome. Provinca mbledh taksat e veta mbi të ardhurat, ka politika të veçanta për emigracionin dhe ligje që i japin përparësi gjuhës frënge ndaj anglishtes.

Tashmë, qeveria e pakicës së PQ-së përballet me sfidën e sigurimit të mbështetjes së partive të tjera, ndërsa paralelisht përpiqet të rikthejë çështjen e pavarësisë në qendër të debatit politik në Quebec. /Telegrafi/

Lexo edhe

IPKO Cyber Security Conference IV – Konferenca për sigurinë kibernetike

IPKO Cyber Security Conference IV – Konferenca për sigurinë kibernetike

Raporti i CIA-s: Izraeli drejt luftës civile dhe kolapsit të brendshëm

Raporti i CIA-s: Izraeli drejt luftës civile dhe kolapsit të brendshëm

Sheringham zgjedh sulmuesin më të mirë në Ligën Premier, nuk është Haaland

Sheringham zgjedh sulmuesin më të mirë në Ligën Premier, nuk është Haaland