Diaspora shqiptare po synon të ketë një rol më të drejtpërdrejtë në jetën politike dhe institucionale të Shqipërisë.

Mbështetje për këtë nismë ka shprehur edhe senatori italian Raffaele De Rosa, i cili ka deklaruar gatishmërinë për të kontribuar në zhvillimin e një projekti të ri politik që synon përfaqësimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Në një intervistë për gazetarin Artur Nura, në emisionin “Albania italianofona” të Radio Radicale, De Rosa foli për potencialin e madh të diasporës shqiptare dhe rëndësinë e organizimit të saj në një strukturë politike.
Sipas tij, shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm profesional, ekonomik dhe shoqëror, i cili mund të kontribuojë edhe në proceset vendimmarrëse të Shqipërisë.
Senatori italian bëri të ditur se e ka përcjellë këtë nismë që në fazat e para dhe se është i gatshëm të vërë në dispozicion përvojën e tij politike, kontaktet institucionale dhe njohuritë e fituara gjatë angazhimit në politikën italiane.
Gjatë intervistës u diskutua edhe për mundësinë e krijimit të një mekanizmi të veçantë për mbështetje dhe këshillim politik, përmes të cilit De Rosa do të mund të kontribuonte në zhvillimin e projektit.
Ai e mirëpriti propozimin e gazetarit Artur Nura për një rol të tillë dhe deklaroi se do t’ua përcjellë atë drejtuesve të nismës, megjithëse një angazhim formal ende nuk është përcaktuar, transmeton Telegrafi.
De Rosa shprehu gjithashtu gatishmërinë për të marrë pjesë në takime me komunitetet shqiptare në vende të ndryshme evropiane, duke përmendur veçanërisht Gjermaninë dhe Francën.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte mundësia e pjesëmarrjes së subjektit të ri politik në zgjedhjet e ardhshme lokale në Shqipëri.
Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e organizimit të diasporës dhe përfshirjes së saj në proceset demokratike, përtej kontributit ekonomik që jep përmes remitancave dhe investimeve.
Intervista trajtoi edhe marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë, ku diaspora shqiptare u cilësua si një urë e rëndësishme bashkëpunimi mes dy vendeve.
Mbështetja e shprehur nga senatori Raffaele De Rosa përbën një zhvillim në raportet e projektit të ri me përfaqësues të politikës italiane, ndërsa hapat konkretë për organizimin dhe funksionimin e tij pritet të përcaktohen në vijim./Telegrafi/





