Familjarët e Endrit Azemit, janë distancuar nga rasti për të cilin djali i tyre dyshohet se mashtroi qytetarët, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe duke mbledhur afro 190 mijë euro donacione.

Në një prononcim për Klan Kosova, familjarët kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni për synimin e tij dhe se fillimisht as vetë nuk kanë besuar se mund të bëhej fjalë për mashtrim.
Sipas tyre, Endriti kishte qëndruar në Turqi që nga fillimi i nëntorit, ndërsa ishte kthyer në Kosovë gjatë fundjavës.
Ata kanë treguar se dyshimet e para u lindën pasi ai u ndalua në kufi dhe më pas i kontaktoi familjarët, raporton Klankosova.tv
Për Klanin, ata shprehën mirëkuptim për qytetarët që kanë kontribuar financiarisht, duke thënë se e kuptojnë shqetësimin e tyre.
Po ashtu, kanë bërë të ditur se po përballen me kërcënime, si në adresën e tyre të banimit, ashtu edhe përmes rrjeteve sociale. /Klankosova.tv





