Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie në renditjen e re të FIFA-s, duke humbur dy pozita pas rezultateve të fundit në ndeshjet ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të përditësuara nga FIFA, ‘Dardanët’ tashmë renditen në vendin e 78-të në botë, me 1322.10 pikë.
Kjo rënie vjen pas përfundimit të ndeshjeve të fundit të Kosovës, ku rezultati ndaj Republikës së Irlandës ndikoi në bilancin e pikëve të saj në renditjen ndërkombëtare.
Rënia vjen në një moment të vështirë për Kosovën, e cila e mbylli fazën e grupeve të Ligës së Kombeve me humbjen 3-0 ndaj Republikës së Irlandës në Dublin.
Kjo disfatë erdhi pas barazimit 0-0 me Izraelin, ndërsa në dy ndeshjet e mëparshme “Dardanët” kishin barazuar edhe me Austrinë dhe Izraelin.
Ndaj Irlandës, ndeshja mori një kthesë të pafavorshme për Kosovën në minutën e 26-të, kur Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje me dorë në vijën e portës.
Troy Parrott shënoi nga penalltia, realizoi sërish në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Jack Moylan vulosi fitoren e vendasve.
Humbja në Irlandë nuk ishte vetëm një përfundim zhgënjyes i këtij cikli të ndeshjeve, por u reflektua edhe në renditjen e kombëtareve.
Megjithatë, kjo rënie nuk e fshin progresin që ekipi kombëtar ka bërë në vitet e fundit. Në tetor të këtij viti, Kosova kishte arritur pozitën e 76-të, që ishte renditja më e mirë në historinë e saj deri atëherë.
Për ‘Dardanët’ tani mbetet të rikthehen te rezultatet pozitive në ndeshjet e ardhshme, në mënyrë që të përmirësojnë pozicionin në renditjen botërore./Telegrafi/





