Kupa e Italisë mund të pësojë ndryshime të mëdha nga sezoni 2027/28, me Lega Serie A që po shqyrton mundësinë e zgjerimit të garës nga 40 në 56 skuadra.

Sipas mediave italiane, përfshirë Sportmediaset dhe Tuttosport, në dokumentacionin për shitjen e të drejtave televizive për periudhën 2027-2030 janë paraqitur dy alternativa për formatin e ardhshëm të garës, shkruan Klankosova.tv.
Opsioni i parë parasheh vazhdimin me formatin aktual prej 40 skuadrash, ndërsa propozimi i dytë synon zgjerimin në 56 ekipe: 20 nga Serie A, 20 nga Serie B dhe 16 nga Serie C.
Në formatin e ri, tetë skuadrat më të mira të Serie A do ta nisnin garën nga 1/16 e finales, një raund më herët se aktualisht. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm do të ishte gjysmëfinalja, e cila do të zhvillohej me vetëm një ndeshje, në vend të sistemit vajtje-ardhje.
Synimi është që Kupa e Italisë të bëhet më gjithëpërfshirëse dhe t’i afrohet modelit të FA Cup në Angli, duke u dhënë më shumë mundësi skuadrave të kategorive të ulëta të përballen me gjigantët e futbollit italian.
Megjithatë, vendimi përfundimtar ende nuk është marrë. Zgjedhja mes dy formateve do të ndikohet edhe nga ofertat për të drejtat televizive.
Sipas Tuttosport, formati me 56 skuadra parashikon një bazë minimale prej 61 milionë eurosh në sezon, kundrejt 54 milionëve për formatin aktual. /Klankosova.tv





