Real Madridi ka siguruar të ardhmen e mesfushorit francez Aurélien Tchouaméni, duke zyrtarizuar vazhdimin e kontratës së tij deri më 30 qershor 2032.

Klubi madrilen e ka konfirmuar marrëveshjen përmes një njoftimi zyrtar të publikuar më 19 nëntor, duke e mbajtur kështu futbollistin në “Santiago Bernabéu” edhe për gjashtë sezone të tjera.
“Real Madrid CF dhe Aurelien Tchouameni kanë rënë dakord të zgjasin kontratën e lojtarit tonë, i cili tani është i lidhur me klubin deri më 30 qershor 2032”, thuhet në njoftimin e klubit.
Mesfushori francez iu bashkua Real Madridit në vitin 2022 dhe që atëherë ka regjistruar 205 paraqitje me fanellën e gjigantit spanjoll.
Gjatë kësaj periudhe, Tchouaméni ka fituar tetë trofe, përfshirë Ligën e Kampionëve, titullin e La Ligës dhe Kupën e Mbretit.
Në mesin e sukseseve të tij me madrilenët janë edhe dy Kupa të Botës për Klube, dy Superkupa të Evropës dhe një Superkupë e Spanjës.
Përveç karrierës në nivel klubesh, 25-vjeçari është edhe pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Francës, me të cilën ka zhvilluar 50 ndeshje dhe ka fituar Ligën e Kombeve në vitin 2021.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





