Gazetari Vullnet Krasniqi, ka folur për rëndësinë e analizimit të bisedave dhe rrethanave që u paraprijnë konflikteve të rënda në shoqëri.

Ai në emisionin “Ora 7”, tha se duhet të hulumtohet më shumë se çfarë ndodh në momentet kur një grindje përfundon me pasoja të rënda.
“Çka po e shkakton këtë lehtësi që vendimi i dytë ose i tretë pas një grindjeje ose një mosmarrëveshjeje të jetë veprimi më ekstrem?”, ka pyetur Krasniqi.
Ai ka treguar se gjatë shqyrtimit të disa transkripteve të dëshmive në gjykata, i ka kushtuar vëmendje të veçantë asaj që ndodh në momentet para ngjarjeve të rënda.
“Është shumë me rëndësi të kuptohet çka ndodh në kohën kur ka ndodhur ngjarja, cilat janë bisedat dhe çfarë ndodh në atë moment. Shumë pak punohet në këtë drejtim”, u shpreh ai.
Krasniqi ka vlerësuar se këto raste shpesh trajtohen si veprime të çastit, pa u analizuar mjaftueshëm rrethanat që u paraprijnë.
“Unë mendoj se, nëse e studiojmë këtë pjesë, kemi me pa se mosdurimi ndaj disa temave të caktuara, që në shoqërinë apo familjen tonë ende janë tabu dhe prekin çështje të moralit, mund të na tregojë shumë për atë që ndodh”, ka deklaruar Krasniqi.




